Kosova

Britania e mirëpret vendimin e Kosovës për t’i kthyer eshtrat e 3 serbëve të vrarë në luftë


Ilustrim

Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë e ka mirëpritur vendimin e autoriteteve kosovare për t’i dorëzuar Serbisë mbetjet e tre trupave të qytetarëve serbë të vrarë në luftën e fundit në Kosovë.

“E mirëpresim lajmin se autoritetet e Kosovës ua kthyen dje familjeve eshtrat e tre civilëve serbë të vrarë gjatë luftës në pikën kufitare Merdare pas identifikimit të tyre të suksesshëm, më shumë se 25 vjet pas konfliktit”, thuhet në reagimin e Ambasadës së Britanisë së Madhe në platformën sociale, X.

Familjet e personave të zhdukur, sipas ambasadës së Britanisë së Madhe, vazhdojnë të jetojnë në pikëllim, pa dijeni për vendndodhjen e më të dashurve të tyre.

“Ne mbetemi të përkushtuar në punën tonë për të mbështetur këto familje për të ditur fatin e të afërmve të tyre dhe inkurajojmë bashkëpunimin e mëtejshëm dhe më të thellë për këtë çështje”.

Ekspertët mjeko ligjorë të Misionit të Bashkimit Evropian (BE) për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), kanë qenë të pranishëm të martën kur Instituti i Mjekësisë Ligjore ia ka dorëzuar Serbisë, mbetjet e tre trupave të qytetarëve serb gjatë luftës në Kosovë.

Lajmin e ka bërë të ditur EULEX-i përmes një shkrimi në rrjetin social ‘X’.

“Ekspertët mjeko-ligjorë të EULEX-it iu bashkuan dje përfaqësuesve të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës në pikën e përbashkët të kalimit Merdare për dorëzimin e eshtrave të 3 personave, të identifikuar së fundmi, pasi u arrit përputhja pozitive e ADN-së”, ka shkruar EULEX-i.

Ky institucion ka theksuar se mbesin të përkushtuar për të mbështetur institucionet e Kosovës, përfshirë edhe IML-në.

“Duke ofruar ekspertizë mjekoligjore dhe këshilla në kryerjen e punës komplekse të identifikimit të të gjitha mbetjeve njerëzore në morgun e IML-së, në mënyrë që anëtarët e familjes të realizojnë të drejtën e tyre për të ditur të vërtetën”.

Mbetjet e tre trupave të qytetarëve serbë të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë, i janë dorëzuar autoriteteve të Serbisë në pikën kufitare në Merdarë.

Këto mbetje të tre trupave të vrarë gjatë luftës janë në mesin e 280 trupave të paidentifikuar në morgun e Prishtinës.

Trupat që do t’i dorëzohen autoriteteve të Serbisë kanë qëndruar në Institutin e Mjekësisë Ligjore që nga paslufta, por ka qenë problem identifikimi i tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore