Kosova

Britania e Madhe kritikon ashpër Kosovën për “veprimet e pakoordinuara” që mund t’i “përshkallëzojnë tensionet” në veri


Ilustrim

Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovës deklaroi nëpërmjet një postimi në platformën “X” se është e shqetësuar për mbylljen nga Policia e Kosovës të gjashtë filialeve të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë në pjesën veriore të vendit të banuar me shumicë serbe, duke vlerësuar ndër të tjera se “veprimet e pakoordinuara” mund t’i “përshkallëzojnë tensionet” ekzistuese.

“Jemi të shqetësuar se veprimet e djeshme të policisë në veri të Kosovës rrezikojnë të përshkallëzojnë tensionet dhe të vështirësojnë zgjidhjen afatgjatë të çështjes së monedhës në Kosovë”, theksoi ambasada britanike, derisa kërkoi nga autoritetet kosovare të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun Kosovë-Serbi nën kujdesin e Bashkimit Evropian (BE).

“Ne inkurajojmë autoritetet kosovare që të koordinojnë veprimet me partnerët ndërkombëtarë dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive me dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështje të tilla”, shtoi ambasada britanike, një ditë pas aksionit policor në veri të vendit që rezultoi me mbylljen e gjashtë njësive të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë.

Policia e Kosovës në një komunikatë mbi aksionin e zhvilluar të hënën në veri të vendit, ku u mbyllën gjashtë njësi të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë, njoftoi se është konfiskuar një sasi e konsiderueshme e parave, përkatësisht rreth 1 milion e 600 mijë euro dhe 74 milionë e 700 mijë dinarë në funksion të “vendosjes së rendit dhe ligjshmërisë” në këtë zonë.

Në shkurt hyri në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), nëpërmjet së cilës përcaktohet euro si e vetmja valutë ligjore që lejohet për transaksione me para të gatshme, duke ndaluar përdorimin e dinarit në zonat e banuara me serbë etnikë, kur përveç valutës euro, deri tani është përdorur edhe monedha serbe nën sistemin paralel të financuar nga Serbia.

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë – Besnik Bislimi e Petar Petkoviç – u mbyllën për mbi tetë orë në një prej zyrave të BE-së në Bruksel të Belgjikës më 15 maj për t’i vazhduar për herë të shtatë brenda pak muajsh negociatat mbi çështjen e dinarit, por që – sërish – rezultuan pa marrëveshje, ndërsa BE-ja shprehu gatishmëri të presë edhe një tjetër takimit për dinarin.

SHBA-ja akuzon Kosovën për “përshkallëzim të tensioneve” pas mbylljes së degëve të bankës serbe në veri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore