Lajme

Brexit/ Francë-Mbretëri e Bashkuar: Nuk ka përparim në bisedimet e peshkimit


Ministri francez i Bujqësisë, Julien Denormandie, për “France 2 TV” të premten e 29 tetorit ka thënë se nuk kishte përparim në bisedimet midis Francës dhe Britanisë mbi licencat e peshkimit pas Brexit.

Më tej, ai shtoi se ishte e drejtë që Franca të konsideronte sanksione kundër Mbretërisë së Bashkuar.

Britania dhe Franca kanë qenë në mosmarrëveshje për mënyrën e zgjidhjes së licencave të peshkimit pas vendimit të Mbretërisë së Bashkuar për t’u larguar nga Bashkimi Evropian.

Ministri francez i Bujqësisë, Julien Denormandie

Të enjten, Britania denoncoi sekuestrimin nga Franca të një varke britanike tek ujërat franceze.

Ajo paralajmëroi Parisin kundër hakmarrjes së mëtejshme, në një mosmarrëveshje që përkeqësohet me shpejtësi mbi të drejtat e peshkimit pas Brexit.

14 shtete anëtare të BE-së, më 13 tetor kanë paralajmëruar se po përgatiten të lëshojnë një deklaratë të përbashkët, nё tё cilёn akuzojnё qeverinë britanike se po rrezikon tё shkaktojё njё dëm të rëndësishëm ekonomik dhe social për komunitetet e tyre të peshkimit.

Përkatësisht Franca, Belgjika, Irlanda, Spanja, Holanda, Gjermania, Qiproja, Portugalia, Danimarka, Italia, Lituania, Suedia, Malta dhe Letonia janë shtetet, të cilat pritet të lëshojnë thirrjen së shpejti, në të cilën do t’i kërkojnë Mbretërisë së Bashkuar të veprojë në kuadёr tё marrёveshjes pas Brexit.

Lord Frost takohet me Zëvendëspresidentin e Komisionit të BE-së, Maroš Šefčovich, në Lancaster House të premten, 29 tetor 2021 në Londër, Angli. Ekipet negociuese nga Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar janë në bisedime për të përmirësuar rregullat kufitare pas Brexit.

Qeveritë e Mbretërisë së Bashkuar dhe Jersey-t, një varësi e kurorës britanike, kanë zemëruar javёt e fundit qeverinë franceze, pasi zvogёluan numrin e licencave të dhëna për pronarët e varkave të vogla që peshkojnë në ujërat bregdetare.

Zhvillimi vjen në një periudhё tё ndjeshme pёr marrëdhëniet BE-Mbretëri e Bashkuar, pasi Maros Sefcovic, Komisioneri Evropian përgjegjës për Brexit, përgatitet të paraqesë propozime për përmirësimin e marrёveshjes pas-Brexit për Irlandën e Veriut.

Parisi është zemëruar sepse një e treta e anijeve franceze që aplikojnë për të peshkuar në ujërat e Jersey-t janë refuzuar nga qeveria e ishullit.

Qeveria britanike ka dhënë ndërkohë leje vetëm për 12 nga 47 anijet franceze.

Arka peshkimi.

Megjithatë, marrëveshja e tregtisë dhe bashkëpunimit e nënshkruar nga Boris Johnson garanton vazhdimësinë e aksesit të anijeve evropiane brenda një kuadri të barabartë që siguron respektimin e sovranitetit.

Kjo ka shtyrë shtetet t’i bëjnë thirrje Mbretërisë së Bashkuar dhe Jersey-t që të rimendojnë vendimet e tyre.

Ata paralajmërojnë se një dështim i mundshëm mund të rrezikojë negociatat e ardhshme BE-Mbretëri e Bashkuar, mbi qasjen reciproke në ujëra, me pasoja të mundshme për industrinë britanike të peshkimit.

Nga ana tjetër, Britania e Madhe dhe Jersey kanë thënë se, kanë vepruar në mënyrë pragmatike në dhënien e lejeve të anijeve të peshkimit, duke u bazuar në dëshmitë e mëparshme.

Por, vendet anëtare të BE-së insistojnë se qeveritë e Mbretërisë së Bashkuar dhe Jersey-t kanë vendosur kushte të padrejta.

Tensionet Mbretëri e Bashkuar-Francë

Në maj, peshkatarët francezë kërcënuan se do të bllokonin portet në Ishujt Channel, në një përshkallëzim të një mosmarrëveshje pas Brexit, duke ndërprerë furnizimin me energji elektrike të Jersey-it.

Zyrtarët francezë në atë kohë deklaruan se ata do të mbyllin zyrat e tyre në Jersey dhe do të ndalojnë produktet nga ishulli që hyjnë në Francë.

Varësia e kurorës britanike të Jersey-it, më e madhja nga Ishujt Channel, mbështetet në “transmetimin e energjisë elektrike me kabllo nënujore”, pat deklaruar ministrja franceze për Çështjet e Detit, Annick Girardin.

Ajo tha se Franca ishte e gatshme të merrte “masa hakmarrëse”, pasi akuzoi Ishujt Channel për prishjen e marrëveshjes së re tregtare me Brexit.

Kjo e fundit, sipas saj, ka vendosur kufizime të reja në hyrjen e Francës në ujërat e Jersey-it.

Ishulli ndodhet 23 km larg bregut verior të Francës dhe 140 km në jug të bregdetit të Britanisë.

Në përgjigje të Francës dy anije luftarake britanike mbërritën në brigjet e Jersey-it, mëngjesin e 6 majit, në përgjigje të 80 anijeve franceze, të cilat u mblodhën në portin e Shën Helier-it, në një protestë për rregullat e të drejtave të peshkimit pas-Brexit.

Porti Jersey në Ishullin Channel.

Zyrtarët britanikë të Downing Street deklaruan se anijet luftarake ishin dërguar për të “monitoruar situatën”.

Traktakti Britani-Francë

Një udhëheqës i industrisë tha se mosmarrëveshja duket se buron nga Traktati i Gjirit Granville, i cili përcakton të drejtat e peshkimit në ujërat e përbashkëta.

Ky Traktat përfundoi më 1 janar si rezultat i Brexit, pas një konflikti të gjerë mes Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së.

Burime të qeverisë britanike thanë se po bëjnë përpjekje për të zgjidhur mosmarrëveshjen para se të përkeqësohej.

Porti Jersey në Ishullin Channel.

David Frost, ish-negociatori kryesor i Brexit, njëkohësisht dhe ministër përgjegjës për marrëdhëniet me BE-në, zhvilloi bisedime të planifikuara me ministrin francez të Çështjeve Evropiane, Clément Beaune.

Takimi mes tyre theksoi sfidat e ndjera nga komunitetet e peshkimit për një marrëveshje më të drejtë në regjimin e peshkimit pas Brexit.

Por Franca ka akuzuar Mbretërinë e Bashkuar për shkeljen e kushteve të marrëveshjes Brexit, sapo filloi një sistem i ri licencimi më 30 prill.

Politikanët vendas francezë thanë se Jersey publikoi në maj një listë të licencave të lëshuara për 41 anije franceze mbi 12 metra.

Kryeministri britanik Boris Johnson

Këta të fundit duhej të plotësonin kërkesën se ata kishin peshkuar në ujërat e Jersey-it për të paktën 10 ditë gjatë një periudhë prej 12 muajsh në tri vitet e fundit.

Por ata thanë që pronarëve të tyre u tha më pas “kundër të gjitha pritjeve” të “kushteve të pashpjegueshme” duke përfshirë kufizimet në numrin e ditëve të peshkimit dhe pajisjet e lejuara të peshkimit.

Jersey merr 95% të energjisë elektrike nga Franca përmes tre kabllove nënujore.

Një bllokadë e porteve do të rrezikonte furnizime të freskëta ushqimore në ishull, shumica e të cilave vijnë nga MB-ja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore