Brenda Shtëpisë – së re – të së Vërtetës

Nga e hëna e parafundit të shtatorit na gjeni në shtëpinë tonë të re dhe fare të veçantë digjitale. Ky është rrëfimi ynë për të
SHFLETO
Albanian Post
23.09.2024 8:00
Loading Icons...

Ishte e diel. Dita e fundit e janarit të 2021-ës. Pas muajsh të tërë pune të palodhur, kishte ardhur momenti. Gazetarët qenë përzgjedhur tre muaj më herët. Zyrat kishin përfunduar para dy a tre javësh. Por, për faqen e gazetës që po e nxirrnim në jetë, në të cilën kishim punuar pothuaj gjysmë viti, na duheshin edhe dy a tre minuta. Ora shënonte nëntë pa një dhe ata pak minuta që kërkonim na dukeshin të gjatë sa orët. Por, as ata nuk na u dhanë. Duhej respektuar afati që i kishim vendosur vetes dhe veçanërisht premtimi që i kishim dhënë lexuesit. Fiks në nëntë, të asaj të diele të ftohtë të 31 janarit, Albanian Post u bë pjesë e botës digjitale.

Që atëherë kanë kaluar 1331 ditë. Janë botuar disa qindra-mijëra lajme. Plotë prej tyre, në një a një tjetër mënyrë, e kanë prekur dhe ndoshta ndërruar shoqërinë. Mijëra kronika dhe qindra emisione, nëpër të cilat kanë kaluar qindra të ftuar e padyshim mijëra të intervistuar, janë realizuar nga gazetarët, redaktorët dhe kryeredaktorët tanë. Në kaq pak kohë kemi krijuar standardin e përcjelljes profesionale të aktualitetit, në rrafshin gazetaresk dhe atë teknologjik, i cili është ndjekur e riprodhuar në disa raste nga mediat shqiptare. Këtë e kemi bërë edhe me sportin, duke qenë të vetmit që në këtë mënyrë i kemi përcjellë ngjarjet më të mëdha sportive në vend dhe jashtë. Kulturës dhe artit i kemi dhënë vendin e merituar. Opinionet që kemi botuar janë shkruar përherë nga penat më të holla dhe mendjet më të ndritura. Zhvillimit ekonomik dhe kapërcimit teknologjik i kemi dhënë vëmendjen e merituar. Dhe Udhëtimeve vendin e kërkuar.

Në më pak se katër vjet kemi botuar disa dhjetëra lajme të cilat koha e ka vërtetuar të kenë qenë paralajmërime të së ardhmes. Lexuesit i kemi dhënë qindra ekskluzivitete. Kemi parashikuar fitues e humbës zgjedhjesh. Pushtetet i kemi përballur me premtimet dhe punët që (s’)kanë bërë. Dhe të gjithë juve – të dashur lexues – ju kemi pasur afër sepse përherë ju kemi thënë dhe dhënë të vërtetën.

Kur e patëm nisur këtë ndërmarrje të vështirë dhe fort sfiduese, qemë siguruar që të të jemi krejt çfarë të tjerët nuk janë. Si përmbajtje dhe si pamje. Por, me kalimin e javëve, muajve dhe viteve, kemi vërejtur që, ndonëse në të shkruar vazhdonim të ishim të ndryshëm, sepse bënim gazetari, të tjerët nisën të na ngjajnë në dukje. Përtej kësaj, pamë që lexuesi kërkonte mundësi të reja, të cilat, ndonëse s’i ofronte asnjë tjetër, duhej të ishim ne që do t’ia jepnim. Prandaj, përvolëm mëngët dhe shtëpinë tonë digjitale, që është shtëpia juaj e së vërtetës, e ribëmë.

E kemi ridizajnuar të tërën. Dhe kemi shtuar shumë funksione. Albanian Post tanimë është edhe uebfaqe, të cilën mund ta qasni nga shfletuesit tuaj edhe aplikacion të cilin mund ta shkarkoni dhe ta përdorni edhe kur nuk keni qasje në internet. Nuk keni nevojë as ta kërkoni nëpër faqe aplikacionesh, sepse kur ta vizioni në shfletues, ua japim mundësinë për ta shkarkuar drejtpërdrejt nga faqja jonë.

Kategoritë dhe Ballinën i kemi ruajtur të paprekura. Por, në Ballinë tanimë do të keni mundësi që t’i përcillni Live, të gjitha zhvillimet më të rëndësishme. Një për një. Poshtë tyre, seksioni i lajmeve të jep mundësinë që t’i shohësh të gjitha të përmbledhura apo t’i filtrosh, varësisht nga gjeografia. Ngjashëm kemi vepruar edhe me Sportin, veçse aty filtrimi do të mund të bëhet në varësi të sportit që përzgjidhni. Dy seksione të reja që kemi shtuar në faqen e parë të gazetës tonë digjitale janë “Videot e ditës”, ku do të mund të ndiqni video-përmbajtje deri në një minutë, me ngjarje të rëndësishme apo zhvillime interesante; “Lexim i këshilluar”, në të cilin do të gjeni lajme krejt të veçanta dhe “Më të lexuarat”, që, siç e thotë edhe vetë emri, do t’i përmbledhë lajmet më të lexuara në Albanian Post.

Lajmet do ta kenë një ndarje të re. Për lexuesit shqiptarë të Albanian Post në Maqedoninë e Veriut, kemi krijuar një hapësirë të veçantë, që s’e kanë pasur deri tani. Një mundësi më shumë për t’u informuar për të gjitha ngjarjet me rëndësi dhe për të ruajtur e forcuar lidhjen ndërshqiptare, që është në themel të vetë medias tonë.

Fokusi ndaj sportit ka qenë përherë një prej elementëve dallues të AP-së. Kësaj radhe, e kemi thjeshtuar aty ku kemi vlerësuar se trajtesa jonë e mëhershme ka qenë e ngarkuar. Por, kemi ruajtur strukturën dhe po ashtu kemi shtuar funksione të reja, të cilat sportdashësve do t’ua bëjnë përvojë të veçantë leximin e lajmeve.

Video-përmbajtjet kanë pasur trajtesë të veçantë qysh prej fillimit, gjë që ka qenë një prej premisave themelore, kur e kemi ribërë faqen e tyre. “Videot e ditës” dhe ato “Të përzgjedhura” janë risitë që do të mund t’i gjeni kur ta vizitoni.

Përvojë krejt unike do të jetë leximi i opinioneve. Faqja e tyre paraqet një përfaqësim vizual të ndërlikueshmërisë së mendimit dhe veçantisë e thjeshtësisë së shkrimit që gjeni të botuar në Opinione-t të cilat i keni vetëm në Albanian Post. Ngjashëm siç bëni në një bibliotekë, kur përzgjidhni librin që doni të lexoni, do të mund t’i shihni, t’i lëvizni, t’i lini mënjanë apo t’i zgjedhni e t’i lexoni.

Kultura – si një shtëpi e madhe, e ndarë në dhoma – në muret e së cilave janë raftet plotë kryevepra, përskaj të cilave të varura janë të tjera vepra arti, është një hapësirë të cilën artdashësit do ta çmojnë, ashtu siç kanë bërë deri tani.

Përditshmëria e jetës, me vështirësitë dhe kënaqësitë që ka përbrenda, me plotë këshilla e analiza, është përmbledhur në faqen Jetë & Stil.

Zhvillimet e lidhura me ekonominë të sqaruara deri në detaje si dhe kapërcimet që ndërlidhen me teknologjinë i gjeni në faqen Ekonomi dhe atë Teknologji.

 

Në Udhëtime, do të udhëtoni virtualisht, midis lajmeve më të veçanta, për destinacionet më të jashtëzakonshme, shqiptare dhe ndërkombëtare, të cilat kështu si në Albanian Post s’i gjeni askund tjetër. Është një prej faqeve më të bukura në median tonë.

Meqë shumica prej jush na lexoni prej telefonave, në të cilët siç e thamë më lart mund të na shkarkoni si aplikacion, kemi menduar gjatë si t’ua bëjmë sa më personale përvojë brenda Albanian Post.

Një prej krijimeve tona e kemi emërtuar “Lajmet tua”, që do të jenë vërtet tuajat, sepse aty do të mblidhen lajme, varësisht nga ato që lexoni. Albanian Post do të mësojë shijet tuaja dhe do t’ua përshtasë atyre shijeve lajmet që i shërben. Ju do të lexoni lajmet që ju doni t’i lexoni.

Ndjesia e leximit të gazetës, përveç prekjes së letrës, merret në shfletimin e faqeve, duke kaluar kështu nga njëri lajm tek tjetri. Këtë gjë s’e kemi gjetur asnjëherë tek gazetat digjitale. Ndaj kemi vendosur ta rikrijojmë. “Shfleto” ia kemi lënë emrin. Dhe përmes sa, duke shfletuar në mënyrë digjitale (anglisht: swipe) mund të kaloni nga njëri lajm tek tjetri.

Asnjë zhvillim nuk do të mund t’iu ikë, sepse “Live” do t’i keni të gjitha. Edhe “Të fundit” lajme, të secilës kategori.

Kjo që ju treguam është shtëpia jonë e re.

Më e madhe. Më e bukur. Më e mirë.

E atillë çfarë meritoni ju, që na lexoni përditë.

Dhe siç meriton të jetë Shtëpia e së Vërtetës.