Kosova

“Brenda dhomave të Gjinekologjisë maksimalisht do të jenë 2 shtretër”, thotë Kurti


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë vizitës në Klinikën e Gjinekologjisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij në Klinikën e Gjinekologjisë, e cila aktualisht është duke u rinovuar ka thënë se s’do të ketë më shumë shtretër sesa 2 brenda një dhome.

Ai gjatë vizitës së tij personelin mjekësorë i quajti “heronj të heshtur”, të cilët sipas tij s’do të marrin asnjëherë mirënjohjen e merituar publike.

“Le ta shfrytëzojmë këtë vizitë që t’ua kthejmë një pjesë të vogël të borxhit të pamatshëm që në parim është i pakthyeshëm”.

“Unë në veçanti u gëzova kur mora vesh që nuk do të ketë më dhoma me nga 6 deri në 9 shtretër, por maksimalisht 2 shtretër, kjo është tejet e rëndësishme edhe për suksesin e shërbimit që jep personeli, e gjithashtu edhe për kushtet në të cilat trajtohet pacientja ose pacienti”, ka thënë Kurti, thuhet në komunikatën dërguar mediave nga Zyra e Kryeministrit. 

Tutje, kreu i ekzekutivit ka kujtuar sakrificën e grave ndër vite.

“Ka pasur një betejë të gjatë e cila ende nuk është e përfunduar për barazinë gjinore që ndodhet në thelb të barazisë shoqërore”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë vizitës në Klinikën e Gjinekologjisë.

“Besoj që këtë duhet ta dëshmojmë përditë, jo vetëm më 8 Mars, mirëpo më 8 Mars ne kujtojmë ato gra të cilat përgjatë dekadave, jo vetëm të këtij shekulli, por edhe atij të kaluar e më herët, kanë kontribuar e janë sakrifikuar në mënyrë që të jemi të barabartë në punë edhe në jetë.

Ndërsa, i ka quajtur “lajm të mirë” edhe shërbimet e reja në klinikën e Gjinekologjisë.

“Fertilizimi i Asistuar Mjekësor, si dhe Mjekësia Fetale dhe Amniocenteza të cilat pa dyshim që do ta rrisin edhe reitingun e QKUK-së, në përgjithësi e në veçanti Klinikës Gjinekologjike”.

“Por, në të njëjtën kohë, paralelisht siç e dimë edhe ne nga politika do të rriten pritjet e pacientëve, pra pacientët kur iu tregoni se jepni më shumë shërbime dhe e keni ngritur cilësinë e shërbimeve, automatikisht ngritën edhe pritjet e tyre”.

Më 3 nëntor të 2023-ës, Qeveria e Kosovës, kishte pranuar financim nga Banka Botërore për koston e Projektit të Emergjencës së Kosovës, COVID-19 përmes së cilës synon që të nis renovimin në klinikën e Gjinekologjisë dhe Urologjisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore