Kosova

BQK kundër refuzimit të monedhës origjinale: Asnjë autoritet tjetër s’mund të vendos për këtë


Banka Qendrore e Kosovës, këtë të premte, është deklaruar pas shpeshtimit të rasteve të qarkullimit të parave të falsifikuara, konkretisht monedhave në shumën prej dy eurove, në tregun vendor.

Shumë biznese në Kosovë, kanë filluar të refuzojnë monedhën në shumë prej dy eurove, me arsyetimin se të njëjtat janë të falsifikuara.

Megjithatë sipas Bankës Qendrore të Kosovës, monedha prej dy eurove të cilat janë origjinale, janë mjet i vlefshëm pagese në Kosovë dhe se asnjë autoritet në Kosovë “nuk mund të vendos për ndalimin ose lejimin e asnjë instrumenti të ligjshëm të pagesave”.

BQK, përmes komunikatës për media, ka udhëzuar bizneset që furnizimin me monedha të bëjnë vetëm përmes bankave, monedhat e pranuara t’i verifikojnë para se të njëjtat t’i ri-qarkullojnë, të punojnë në vetëdijesimin dhe trajnimin e punonjësve dhe mënyrën e identifikimit të tyre.

“Monedhat e vërteta janë të dallueshme nga ato të falsifikuara dhe se ka disa mundësi që të identifikohen. Monedhat e falsifikuara përgjithësisht kanë veti të ndryshme magnetike nga ato të vërteta, si dhe në pamje kanë një kualitet të dobët të detajeve, zakonisht ngjyrë të ndryshme të rrethit dhe sipërfaqes brenda rrethit dhe mungesë të shkronjave në skaje”, thuhet në njoftimin e BQK-së ndër të tjera.

Duke njohur rëndësinë që ka furnizimi i ekonomisë së Kosovës me para të gatshme dhe nevojën që të ruhet besueshmëria dhe integriteti i Euros në përdorimin e saj si mjet pagese, BQK, ka njoftuar ndër të tjera se është duke u koordinuar në aspektin ndër-institucional me organet përgjegjëse për t’i mbështetur në veprimet e tyre për kufizimin dhe parandalimin e këtij aktiviteti kundër ligjor, duke ofruar të gjithë bashkëpunimin e nevojshëm dhe mbështetjen profesionale dhe teknike.

“Si rezultat i bashkërendimit të aktiviteteve që dalin nga detyrat dhe plani i përbashkët, dhe veprimit efektiv të konfiskimit të një sasie të madhe të monedhave të denominimit prej 2 € nga organet e zbatimit të ligjit, ku edhe BQK kishte kontribut, edhe më tej udhëzohen qytetarët dhe bizneset të vazhdojnë të kenë kujdes të shtuar gjatë transaksioneve me këtë denominim”.

Paratë false vërshojnë tregun e Kosovës, por me to mund të paguash

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore