Kosova

Borrelli paralajmëron takim tjetër me Kurtin e Vuçiçin


Josep Borrell

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, ka folur në lidhje me takimet që së bashku me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, kanë pasur me kryeministrin kosovar, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, të enjten në kyeqendrën evropiane në Belgjikë, në kuadër të samitit të liderëve evropianë.

Në një prononcim para gazetarëve në margjinat e samitit të krerëve të 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian (BE), shefi i diplomacisë evropiane ka paralajmëruar takim tjetër më vonë gjatë ditës me dy udhëheqësit ballkanikë, ndërsa ka kërkuar nga të dy palët zbatimin e marrëveshjeve në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nën kujdesin e BE-së.

“Kur jemi te Kosova dhe Serbia – puna po vazhdon dhe ndoshta duhet ta lëmë mbledhjen e BE-së dhe të provojmë të ulemi sërish me të dy liderët për të provuar nëse ne mund të gjejmë një zgjidhje brenda dialogut. Rruga evropiane e Kosovës dhe Serbisë shkon përmes dialogut. S’ka zgjidhje tjetër”, ka thënë kryediplomati evropian.

Dy udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë që assesi të nxjerrin shtetet e tyre nga situata parakonfliktuale dhe qytetarët nga hija kërcënuese e përshkallëzimit të dhunës, kanë takuar veç e veç kancelarin gjerman, presidentin francez, kryeministren italiane dhe përfaqësuesit e BE-së, në një cikël “20 minutësh” takimesh biletarale pas “stuhisë diplomatike” të fundjavës.

Përfaqësuesit e shteteve kryesore të BE-s  kanë shoqëruar Emisarin Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në takime të ndara në Kosovë dhe Serbi të shtunën e 21 tetorit, në një kohë kur tensionet janë ngritur në nivele shpërthyese, posaçërisht pas sulmit vdekjeprurës të paramilitarëve serbë në Banjë të Zveçanit në veri të Kosovës.

BE-ja nën kujdesin e SHBA-ve ka prezantuar një plan-propozim të ri për statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe zbatimin e Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit (Ohër, 18 mars), ndërsa Qeveria e Kosovës ka dhënë pëlqimin e saj për planin perëndimor dhe ka pranuar të jetë kornizë për negociatat e mëtejshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore