Rajoni

Borrell mesazh të tërthortë për Serbinë: Disa vende s’kanë statistika të ndritura sa i përket politikës së jashtme


Josep Borrell

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, në prag të nisjes së mbledhjes së Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së, ndonëse nuk ka folur specifikisht për ndonjë shtet të caktuar, ka shprehur habinë që ‘disa’ shtete në Ballkanin Perëndimor s’po e ndajnë zemërimin e BE-s kundër pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës.

Shefi i diplomacisë së BE-së të hënën do të presë në kryqendren evropiane në Belgjikë ministrat e jashtëm të shteteve të Ballkanit Perëndimor, ku pritet të adresohen sfidat aktuale gjeopolitike dhe procesi i zgjerimit, posaçërisht nën trysninë e ngjarjeve të fundit që kanë dëshmuar se paqja në rajon është akoma e brishtë.

“Këtë po e bëjmë në mënyrë që të tregojmë se sa i rëndësishëm është ky rajon. Për të diskutuar për propozimet që janë bërë sëfundi nga Komisioni Evropian. Duhet të insistojmë që vendet e rajonit të afrohen me politikën tonë të jashtme. Disa vende nuk kanë statistika të ndritura sa i përket harmonizimit me politikën tonë të jashtme dhe sanksionet”, ka thënë Borrell.

Top-diplomati evropian nuk e ka përmendur drejtpërdrejtë, por në mesin e shteteve që nuk i kanë vendosur sanksione Rusisë për agresionin ndaj Ukrainës është edhe Serbia, megjithëse ajo ka votuar në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB) për rezolutën që dënon agresionin e Rusisë, por ka ritheksuar qëndrimin e saj se nuk do të vendos sanksione.

Zyrtarët serbë në krye me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, vazhdimisht kanë përsëritur se Beogradi nuk do të mbështesë sanksionet ndaj Kremlinit, ngase kështu mbron “interesat vitale” të shtetit, sepse Serbia po ashtu mbështetet në Rusinë për Kosovën, duke qenë anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor – Kosova, Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut – janë bashkuar me sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe BE-së kundër Rusisë, ndërsa Serbia dhe Bosnje-Hercegovina janë shtetet e vendme që nuk e kanë harmonizuar politikën e jashtme me atë të 27-shteteve anëtare.

Kryediplomatët rajonalë në Bruksel, në fokus edhe dialogu Kosovë-Serbi

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore