Bllokimi i kufijve, Kurti: U bë tepër shumë punë nga institucionet, për të cilat publiku s’u informua

SHFLETO
Dreni Himbeqa
11.09.2024 10:47
Loading Icons...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e 220-të të Qeverisë së Kosovës, ndërsa përmendi bllokimin e disa pikë kalimeve kufitare nga ana e serbëve në pjesën e Serbisë, tha se gjatë atyre ditëve Policia e Kosovës dhe Agjencia e Inteligjencës së Kosovës “kanë punuar nga minuta në minutë që planet dhe qëllimet e tyre të dështojnë, siç edhe ndodhi”.

“Ka tepër shumë punë që bëhen, për të cilat nuk dihet fortë në publik e nuk ka aq diskutime në publik”, tha Kurti

Thënë këtë ai falënderoi të gjithë zyrtarët policorë dhe agjentët të cilët, sipas tij, janë kujdesur e përkujdesen çdo herë “që publiku e qytetarët të shohin të jetojnë dhe përjetojnë vetëm rezultatet pozitive përkundër planeve të këqija që synohen, por që nuk realizohen dhe nuk merren vesh asnjëherë”.

Në fjalinë hapëse të mbledhjes së Qeverisë të mërkurën Kurti ndërsa komentoi vizitën e tij në Veri gjatë theksoi se këto janë vizita pune që po bëhen për të kuptuar sa anash janë lënë qytetarët e asaj pjese.

“Vizitat tona, të zyrtarëve shtetërorë në këto komuna nuk janë kundër askujt, ato janë të domosdoshme për t’i kuptuar nevojat që kanë qytetarët. Për t’i flakur paragjykimet e ndërsjella dhe për të kuptuar sa anash janë lënë qytetarët atje, ne po bëjmë këto vizita pune. Atje po bëhen investime që nuk janë bërë qe dy dekada, po shtohen shërbimet që i kanë munguar qytetarëve”, ka thënë ai.

Duke komentuar mbylljen e institucioneve paralele serbe në Veri, kryeqeveritari tha se Qeveria nuk po mbyll zyre në Veri, por përkundrazi po i shton ato.

“Pas raportimeve se në katër komunat veriore strukturat paralele po zhvillonin veprimtari ilegale, institucionet e sigurisë kanë marrë veprime ligjore për lirimin e tyre… kjo na ka mundësuar që të ofrojmë shërbime të ligjshme. Në ato objekte do të funksionalizohen njësia për patentë shoferë, qendra për punë sociale, shërbime të mirëqenies sociale, shërbimi për regjistrimin e automjeteve e shërbime të tjera të Ministrisë së Ekonomisë”, shtoi ai.