Kosova

Bislimi për mediumin serb: Kemi bërë lëshim të madh në Marrëveshje, hoqëm dorë nga njohja formale


Ilustrim: Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës dhe personi i dytë më i rëndësishëm pas Albin Kurtit në procesin e dialogut me Serbinë, Besnik Bislimi, i cili Marrëveshjen Bazë të dakordësuar fillimisht më 27 shkurt e më pastaj më 18 mars, e konsideronte si një rast që s’duhet humbur, në një intervistë për mediumi opozitar serb, Danas, thotë se Kosova ka bërë një lëshim të madh gjatë Ujdisë duke hequr dorë nga njohja formale me Serbinë.

Marrëveshja që përbëhet prej 11 nenesh nuk përfshin njohjen reciproke për të cilën insistoi Kosova, por kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Duke komentuar pritshmëritë nga takimi i radhës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, Bislimi, thotë se Marrëveshje e Brukselit/Ohrit na dërgon në një situate të re dhe më stabile se sa kemi tani, ani pse pranon që Kosova ka hequr dorë nga njohja de jure – e cila do të duhej të ishte qendra e marrëveshjes – dhe është mjaftuar me një njohje të tërthortë – de facto. 

Me Marrëveshjen Bazike (27 shkurt) Serbia është pajtuar që ta trajtojë Kosovën si një anëtare të barabartë sovrane, ka njohur integritetin tonë territorial, ka rënë dakord të mbajë marrëdhënie normale si me të gjithë fqinjët e tjerë dhe të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Ne e kuptojmë se njohja formale nuk është aty dhe ky ishte një lëshim i madh i Kosovës. Është e rëndësishme që ne të ndërtojmë marrëdhënie të qëndrueshme si anëtarë të barabartë të bashkësisë ndërkombëtare”.

Ulja në dy faza e prezencës së Policisë së Kosovës në dhe pranë ndërtesave komunale në Veriun e Kosovës, sipas Bashkimit Evropian ndonëse është një vendim i duhur, nuk është e mjaftueshme për largimin e masave ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës.

Sipas Unionit për largimin e masave shtrënguese duhet të shpallen edhe zgjedhjet e parakohshme, kusht për të cilën është përgatitur edhe një Udhëzim Administrativ.

Formë ky i cili, ndonëse sipas autoriteteve kosovare është e vetmja mënyrë për t’i shpallur zgjedhjet në katër komunat veriore, është e papranueshme për bllokun evropian, meqë sipas tyre zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejt dhe të organizohen në mënyrë gjithëpërfshirëse, pra me pjesëmarrjen e plotë dhe të pakushtëzuar të serbëve.

Përkundër deklaratave të lëshuara nga BE-ja, Bislimi, ka thënë se pret që Unioni t’i heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës para takimit të radhës së nivelit të lartë në kuadër të dialogut në mes të kryeministrit, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç-it, më 14 shtator në Bruksel.

“Në më pak se dy javë do të ketë një takim të ri të nivelit të lartë dhe pritet që BE-ja të sigurojë barazinë e palëve në dialog duke hequr masat ndëshkuese para këtij takimi”, ka thënë ai në një intervistë për mediumin opozitar serb, Danas.

Në Veri të Kosovës, e populluar me shumicë serbe, tensionet u ngritën pasi kryetarët shqiptarë, me ndihmën e policisë, hynë në ndërtesat komunale në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Situata u përshkallëzua më 29 maj, kur serbët sulmuan pjesëtarët e misionit e NATO-s në Kosovë, KFOR-in në Zveçan.

Kur serbët sulmuan pjesëtarët e misionit e NATO-s në Kosovë, KFOR-in në Zveçan.

BE-ja, e cila prej më shumë se dhjetë vjetësh ndërmjetëson në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përgjegjësinë për këto tensione ia ngarkoi Kosovës dhe kërkoi shtensionimin e menjëhershëm të situatës dhe kthimin në dialog.

Bashkë me konstatimin se Qeveria e Kosovës po i injoron këto kërkesa, BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj saj, në fund të qershorit.

Kosova e quajti si të padrejtë vendosjen e këtyre masave shtrënguese, ndërsa pranoi se të njëjtat po e dëmtojnë vendin në aspektin socio-ekonomik.

Ishte pikërisht kryeministri i Kosovës, Albin Kurti – “kokëfortësia” e të cilit në emër të sundimit të ligjit dhe shtrirjes së sovranitetit në Veri u bë shkas për vendosjen e këtyre masave – ai i cili pranoi se vendi po vuan nga masat shtrënguese.

“Është e vërtetë që ne po vuajmë për shkak të këtyre sanksioneve. Kryesisht komuniteti ynë i biznesit, por edhe shërbimet shtetërore”, tha ai në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, RTV SLO.

Duke folur për bilancin ekonomik që i kanë shkaktuar masat shtrënguese të Unionit ndaj Kosovës, Kurti pohoi se Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit – marrëveshje kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së e cila paraqet një fazë të marrëdhënieve politike ndërmjet Kosovës dhe BE-së – aktualisht është i ngrirë.

“Huatë dhe grantet si dhe financimet nga fondet e Bashkimit Evropian janë gjithashtu në rrezik. E gjithë kjo u ndërpre. Prandaj, heqja e këtyre masave ndaj Kosovës do të ishte vërtet e mirëseardhur dhe vendim i drejtë i BE-së”, tha ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore