Kosova

Bislimi merr meritat: Puna jonë e përshpejtoi procesin për vizat


Zëvendëskryeministri i Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri i Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, pas miratimit të tekstit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës nga ambasadorët e Bashkimit Evropian, ka deklaruar se janë drejt përfundimit të suksesshëm të këtij procesi.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ai ka përmendur disa faktorë që kanë dërguar drejt avancimit të procesit të liberalizimit të vizave.

“Tashmë jemi drejt përfundimit të suksesshëm të këtij procesi të tejzgjatur për qytetarët e Republikës së Kosovës. Sukseset e arritura nga Qeveria veçanërisht në sundim të ligjit, puna jonë e vazhdueshme me shtetet anëtare dhe mbështetja e partnerëve tanë strategjikë, ishin faktorë kryesorë në avancimin e këtij procesi që ishte bllokuar për vite me rradhë”.

“Me finalizimin e liberalizimit të vizave, Kosova do të jetë një hap më afër BE-së e proceseve të integrimit evropian”, ka shkruar Bislimi.

Ai ka thënë se hapi i të martës është i rëndësishëm për heqjen e vizave.

“Një hap tutje, tejet i rëndësishëm, që do të pasohet me aprovimin formal të rregullores mbi heqjen e vizave nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së”.

Ambasadorët e Bashkimit Evropian të martën kanë miratuar tekstin e kompromisit për liberalizim e vizave për Kosovën.

Ky hap është bërë para miratimit përfundimtar nga Këshilli i Bashkimit Evropian ka bërë të ditur presidenca Çeke e Këshillit të Bashkimit Evropian.

“Ambasadorët e BE-së miratuan tekstin e kompromisit për liberalizimin e vizave për Kosovën para aprovimit të fundit nga Këshilli i BE-së”, është thënë në faqen zyrtare të Presidencës Çeke në rrjetin social ‘Tëitter’.

Për Presidencën Çeke në Bashkimin Evropian, Këshilli, më saktësisht Ambasadorët e Shteteve Anëtare të Unionit, kanë bërë një hap të rëndësishëm drejt liberalizimit të vizave për kosovarët.

Sipas përfaqësueses së përhershme të Republikës Çeke në Bashkimin Evropian, Edita Hrda, ky është një lajm i madh edhe për Kosovën edhe për rajonin.

Pas këtij vendimi, kishte shpjeguar ambasadorja çeke Hrda për Albanian Post, Këshilli do të nisë negociatat me Parlamentin dhe Komisionin Evropian për të finalizuar tekstin.

“Presidenca çeke mirëpret marrëveshjen e arritur në nivel Këshilli dhe vlerëson përpjekjet e të gjithë aktorëve relevantë për arritjen e këtij rezultati”, ka thënë Hrda për Albanian Post.

“Më vjen mirë që ndihmuam për të gjetur një marrëveshje brenda Këshillit për liberalizimin e vizave me Kosovën. Ky është një lajm i madh edhe për Kosovën dhe rajonin. Jam e bindur se regjimi pa viza do të hapë rrugën për kontakte më të ngushta mes qytetarëve të Kosovës dhe shteteve anëtare të BE-së”.

Presidenca çeke ka lavdëruar progresin e Kosovës në të gjitha stacionet e kushteve për liberalizimin e vizave përfshirë edhe fushat e sigurisë së dokumenteve, kufijve, migrimit, rendit publik, dhe të drejtat fondamentale lidhur me lirin e lëvizjes.

“I bëjmë thirrje Kosovës që të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me BE-në dhe shtetet anëtare të saj për të ruajtur përmbushjen e kushteve të liberalizimit të vizave”, ka thënë më tej Hrda për Albanian Post.

Ndryshe, Kosova e ka nisur rrugëtimin e saj drejt liberalizimit para 12 viteve.

Premtimet e shpeshta të politikanëve kosovarë se liberalizimi i vizave do të ndodhte “shumë shpejt”, gazi lotsjellës në Kuvend dhe protestat masive në sheshet kryesore të Prishtinës ishin vetëm disa nga zhvillimet kryesore që karakterizuan procesin.

Historik i rrugëtimit të Kosovës drejt Liberalizimit të Vizave – 1 dekadë pritje, apo më shumë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore