Lajme

Ambasadorët e BE-së miratojnë liberalizimin e vizave për Kosovën


Ilustrim.

Ambasadorët e Bashkimit Evropian të martën kanë miratuar tekstin e kompromisit për liberalizim e vizave për Kosovën.

Ky hap është bërë para miratimit përfundimtar nga Këshilli i Bashkimit Evropian ka bërë të ditur presidenca Çeke e Këshillit të Bashkimit Evropian.

“Ambasadorët e BE-së miratuan tekstin e kompromisit për liberalizimin e vizave për Kosovën para aprovimit të fundit nga Këshilli i BE-së”, është thënë në faqen zyrtare të Presidencës Çeke në rrjetin social ‘Twitter’.

Për Presidencën Çeke në Bashkimin Evropian, Këshilli, më saktësisht Ambasadorët e Shteteve Anëtare të Unionit, kanë bërë një hap të rëndësishëm drejt liberalizimit të vizave për kosovarët.

Sipas përfaqësueses së përhershme të Republikës Çeke në Bashkimin Evropian, Edita Hrda, ky është një lajm i madh edhe për Kosovën edhe për rajonin.

Pas këtij vendimi, kishte shpjeguar ambasadorja çeke Hrda për Albanian Post, Këshilli do të nisë negociatat me Parlamentin dhe Komisionin Evropian për të finalizuar tekstin.

“Presidenca çeke mirëpret marrëveshjen e arritur në nivel Këshilli dhe vlerëson përpjekjet e të gjithë aktorëve relevantë për arritjen e këtij rezultati”, ka thënë Hrda për Albanian Post.

“Më vjen mirë që ndihmuam për të gjetur një marrëveshje brenda Këshillit për liberalizimin e vizave me Kosovën. Ky është një lajm i madh edhe për Kosovën dhe rajonin. Jam e bindur se regjimi pa viza do të hapë rrugën për kontakte më të ngushta mes qytetarëve të Kosovës dhe shteteve anëtare të BE-së”.

Presidenca çeke ka lavdëruar progresin e Kosovës në të gjitha stacionet e kushteve për liberalizimin e vizave përfshirë edhe fushat e sigurisë së dokumenteve, kufijve, migrimit, rendit publik, dhe të drejtat fondamentale lidhur me lirin e lëvizjes.

“I bëjmë thirrje Kosovës që të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me BE-në dhe shtetet anëtare të saj për të ruajtur përmbushjen e kushteve të liberalizimit të vizave”, ka thënë më tej Hrda për Albanian Post.

Ndryshe, Kosova e ka nisur rrugëtimin e saj drejt liberalizimit para 12 viteve.

Premtimet e shpeshta të politikanëve kosovarë se liberalizimi i vizave do të ndodhte “shumë shpejt”, gazi lotsjellës në Kuvend dhe protestat masive në sheshet kryesore të Prishtinës ishin vetëm disa nga zhvillimet kryesore që karakterizuan procesin.

Historik i rrugëtimit të Kosovës drejt Liberalizimit të Vizave – 1 dekadë pritje, apo më shumë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore