Kosova

Beteja e LDK-së për zbutjen e “polarizimit shoqëror”, (s’)mund t’i ngjajë “modelit populist” të LVV-së


Ilustrim: Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, me të drejtë ka spikatur rëndesën e “ndarjes brutale” që ka mbushur pothuajse çdo aspekt të “fabrikës sociale” në Kosovë, por inciativa e tij për të ndryshuar diskursin publik dhe politik po shihet me dyshim nga njohësit e zhvillimeve socio-politike në vend, veçanërisht kur bëhet fjalë për thellësinë e ndasive midis “fituesve e humbësve” dhe nocionit “Ne” kundër “Atyre”.

Drejtori i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari” në Prishtinë, Visar Ymeri, në një prononcim për Albanian Post, i jep të drejtë kreut të LDK-së, i cili, derisa ka folur për pikat kryesore nga 100 zotimet e programit të LDK-së të pagëzuar “Rruga e Re”, ka argumentuar se shoqëria kosovare aktualisht po përballet me një “krizë kombëtare” që ka ditur t’i gërryejë shumë shoqëri, sidomos aty ku individët shihen me thjerrëza partiake dhe kundërshtarët politikë cilësohen “armiq të popullit” e “tradhtarë të kombit”.

Ymeri vlerëson se polarizimi shoqëror në Kosovë ka marrë përmasa shqetësuese, posaçërisht pas “lindjes dhe rritjes” së Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), ndonëse kujton se ndarja në tabore politike dhe polarizimi i skajshëm shoqëror ka ekzistuar qysh prej përfundimit të luftës së fundit në Kosovë (1999), por që ishte tejkaluar pas “bashkëqeverisjes së detyruar” të dy poleve të kundërta të spektrit politik, të cilat pothuajse ishin “shkrirë” në një – LDK dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Megjithatë, ndonëse thotë se përplasja shoqërore vjen nga “pozicioni ideologjik” i partisë të cilën e ka udhëhequr për më shumë se dy vite, ai ua kujton lidershipit të LDK-së se diskursi politik që synon thyerjen e diskursit populist “nuk duhet t’i ngjasojë në asnjë pikë” fenomenit që kërcënon rendin demokratik e pluralist të shtetit në rrënjët e tij, pra në vetë qenien e tij.

“Kështu biem në grackën e luftës mes dy poleve populiste në të cilën fiton populizmi pavarësisht cila palë del fitimtare. LDK-ja dhe kryetari i saj që e kanë identifikuar këtë problem, me të drejtë, bartin një pjesë të madhe të përgjegjësisë për të ndryshuar diskursin publik e politik që do të kërkonte më shumë kohezion shoqëror, marrë parasysh që shoqëria është një agregat individësh”, vëren Ymeri derisa komenton zotimin e LDK-së për nxjerrjen e vendit nga kjo “krizë kombëtare” nëse vjen në pushtet.

Prandaj, për sytë e vëmendshëm të një sociologu, lufta ndaj kësaj simptome që turmës “ia siguron” jo të mundshmen por të dëshirueshmen, kërkon domosdoshmërisht identifikimin dhe promovimin e të drejtave e lirive individuale, mirëqenies dhe interesave të qytetarëve, sepse sipas tij, rëndom populizmi bazohet në një “dikotomi të tejthjeshtëzuar” dhe mohon tërësisht “kompleksitetin e problemeve” socio-politike, sidomos në një kohë kur liberal-demokracia kërcënohet nga “lëvizjet e masave”.

“Këtu jeton edhe domosdoshmëria e polarizimit të shoqërisë në ‘Ne’ dhe ‘Ata’. Kjo ndarje është jetike për ekzistencën e diskursit populist. Ndarja në ‘Ne’ dhe ‘Ata’ në secilin vend e në secilën situatë e vendosë individin para zgjedhjes absolute: nuk mund të jesh edhe me ‘Ne’ edhe me ‘Ata’ njëkohësisht, gjë që mundësohet e inkurajohet në demokracinë liberale”, potencon ndër të tjera Ymeri.

E në varësi të vendit dhe momentit, termi “Ata” mund të nënkuptojë të pasurit, të varfrit, të huajt ose pjesëtarët e pakicave fetare, racore dhe etnike. Mund të nënkuptojë mbështetësit e një partie politike rivale, politikanë, prokurorë e gazetarë. Por, pavarësisht se si aplikohet, përemri “Ata” është një mjet politik i vërtetë dhe i provuar tashmë edhe në Kosovë në pothuajse të gjitha shtresat shoqërore.

Në këtë drejtim, hulumtuesi dhe politikologu, Shkodran Ramadani, ndonëse konsideron se polarizimi shoqëror nuk përbën problem për populistët që i bien fort retorikave kundër “sunduesve të vjetër” dhe “elitave të korruptuara”, nuk ka shpresë se LDK-ja nën udhëheqjen e kryetarit Abdixhiku apo ndonjëra prej partive të tjera opozitare mund të ndryshojnë gjendjen për të mirë për shkak të mungesës së dinamizmit opozitar.

“Sjelljen e opozitës nuk po e komentoj fare sepse nuk është që janë duke dhënë material për të diskutuar. Sllogane e fjalë boshe sa të duash, punë fare. Nuk ka dinamizëm opozitar që jep shpresë se gjërat mund të ndryshojnë për të mirë”, shpreh revoltën e tij Ramadani i cili që një kohë merret me fushën e hulumtimeve të populizmit dhe demokracisë.

Megjithëse nuk ka asnjë dyshim për “shkaktarin e vetëm” të polarizimit shoqëror, ai thotë se përçarja e thellë “Ne” kundër “Atyre” – opozita kundër pushtetit – nuk është thjesht një “simptomë e paqëllimshme” e dinamikave politike në vend, por rezultat i “inxhinieringut sistematik” politik të partisë në pushtet që e rrezikon ekzistencën e idesë së komunitetit të përbashkët politik në shoqërinë kosovare.

Për të ilustruar “modelin populist” në kontekstin kosovar dhe në formën e tij të kulluar, dhe i cili përthith energjitë kombëtare, sikurse Ymeri ashtu edhe Ramadani, kujtojnë deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili, në një konferencë për media në Prishtinë, tha se opozita “mund të zhduket” nëse veç ia mësyn t’i hyjë rrugës së zgjedhjeve të parakohshme dhe rrëzimit të tij nga karrigia e pushtetit.

“Kryeministri e sheh veten superior politikisht karshi çdokujt tjetër. Duke qenë superior është i pashmangshëm për progresin në vend. Duke qenë i pashmangshëm dhe i pazëvendësueshëm, udhëheqja e tij politike është jetike për mbijetesë e përparim. Kjo nënkupton që ta kundërshtosh atë, jeni duke e kundërshtuar mbijetesën e progresin”, thotë ish-bashkëpunëtori i kryeministrit Kurti, atëherë të dy opozitarë.

Në llupën e një prej vëzhguesve më të mprehtë të zhvillimeve socio-politike në vend, duke qenë se partitë politike vazhdojnë krijimin e “njeriut superior”, atit themeltar, i cili nevojitet për të mbajtur shkëlqimin e grupit dhe shtetit, diskursi politik zakonisht merr “përmasa religjioze”, veçanërisht kur flitet për garën elektorale, derisa terminologjia politike jo rrallë përkthehet në trajtën e një “vizioni hyjnor” që kur i vishet popullit, merr forcën e një sentence biblike.

“Kështu diskursi politik merr përmasë religjioze – padyshim kur dëgjojmë të flitet për garën politike, terminologjia shpesh herë është ushtarake e biblike. Për shembull: ‘Zgjedhjet nuk i konvenojnë qeverisë sepse zhduket opozita’. Pra kryeministri Kurti e sheh politikën si zero sum game – fitorja e LVV-së në zgjedhje nënkupton zhdukje të opozitës”, vazhdon argumentin Ymeri.

Çfarë i bën populistët “specie të përçudnuara politike”, sipas Ramadanit, qëndron në faktin se ky tip i liderëve gjithmonë pretendon se ekziston një “popull homogjen e moralisht i pastër” dhe se ata janë “përfaqësuesit e vetëm autentikë të tij”, kurse të tjerët “duhet të zhduken” nga skena politike.

“Në këtë logjikë moniste e autoritariane, partitë tjera politike në Kosovë nuk janë pjesë legjitime të tërësisë e as rivalë politikë me të cilët duhet të garojë për pushtet e për koalicione, por armiq që ‘duhet të zhduken'”, argumenton më tej Ramadani, ndërsa shton se lidershipi aktual “nuk e dëshiron bashkëpunimin, kompromisin, konsensusin, konstruktivitetin e korrektësinë”, por përkundrazi, lufton për krejt diçka tjetër.

“Këta e dëshirojnë të kundërtën e tyre: përçarjen, linçimin, disensusin, destruktivitetin e anatemat. Prandaj edhe përçarja që tash e sa kohë gërryen çdo urë komunikimi, duke e rrezikuar vetë ekzistencën e idesë së komunitetit të përbashkët politik në Kosovë”, thotë ndër të tjera ai.

Në mungesë të një komunikimi normal, partitë politike kosovare veçse kanë hyrë në qarkun e mbyllur të dhunës verbale – ndërmjet vete – sa që është shkallëzuar në përleshje fizike në Kuvendin e Kosovës ndërmjet disa anëtarëve të kabinetit qeveritar e deputetëve të LVV-së dhe disa deputetëve të subjektit më të madh opozitar, derisa dhjetëra mijëra qytetarë, kryesisht të rinj të papunë e profesionistë të dëshpëruar, po ia kthejnë shpinën vendit të tyre për të nisur jetë të re në shtetet perëndimore.

E përderisa vazhdon konformizmi dhe uniformaliteti, shtysa për t’u futur brenda rrethit dhe dëshira për t’i futur të gjithë brenda këtij rrethi, sipas njohësve të çështjeve socio-politike, shoqëria civile dhe media janë ato të cilat do të duhej të ishin në “vijën e parë” të frontit kundër këtij fenomeni.

Për këtë arsye dhe të tjera, një qeveri më e mirë nuk është përgjigja e vetme, as domosdoshmërisht më e rëndësishmja. Tentativat e mekëta nganjëherë gjenerojnë më shumë frustrim sesa unitet. Dhe LDK-ja ka një rol për të luajtur në këtë drejtim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore