Shqipëria

Berisha non-grata/ DASH për Albanian Post: Ende nuk ka një padi në proces


Sali Berisha, ish-kryeministri i Shqipërisë, i shpallur, bashkë me familjen, persona non-grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Sali Berisha mund të ketë angazhuar një nga avokatët më të mirë për t’i përgatitur padinë pasi u shpall, bashkë me familjen, si persona non-grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH), por nga DASH nuk dinë gjë për padinë e supozuar të Berishës.

Pas deklaratës së ish-kryeministrit shqiptar se, “kam hapur gjyq” dhe “le t’i paraqesin para gjykatës provat”, Albanian Post ka kërkuar prononcim nga DASH-i, nëse ky departament është në dijeni të ngritjes së një padie kundrejt tyre.

Përmes një komunikate me shkrim për AP, amerikanët thonë se “We are not aware of any pending legal proceeding” (Ne nuk jemi në dijeni të ngritjes së një padie). Që nënkupton se ende nuk ka një padi në proces.

Albanian Post ka komunikuar edhe me Gjykatën e Parisit, aty ku Berisha thotë se ka ngritur padinë.

Gjykata nuk e ka mohuar krejtësisht padinë, veçse përmes një përgjigje me shkrim ka thënë se pyetjet duhet orientuar në një adresë tjetër.

“Për më shumë informacion mbi padinë duhej të kontaktoni me avokatin”, thuhet në përgjigjen e gjykatës për AP.

Bëhet fjalë për avokatin, Jean-Yves le Borgne, të cilin, sipas ish-presidentit Sali Berisha, ky i fundit e ka punësuar për të ndjekur çështjen e tij.

Le Borgne më herët ka dhënë një intervistë për mediat në Shqipëri. Ai ka bërë një sqarim interesant përse Gjykata e Parisit mund ta ndjekë ligjërisht Sekretarin Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, i cili njoftimin e DASH-it e postoi edhe në llogarinë e tij personale në Twitter.

“Në Francë çdokush mund të hapë padi për shpifje ndaj çdo kujt, me kushtin që akti i supozuar i shpifjes të ketë ndodhur në territorin francez. E meqenëse ajo që zoti Berisha konsideron si shpifje është botuar në ëebsitin e Departamentit Amerikan të Shtetit, dhe meqenëse interneti e sjell këtë informacion dhe në territorin francez akti i shpifjes rezulton të jetë konsumuar edhe në Francë”.

Por, një avokat i të Drejtës Ndërkombëtare, i cili punon afër Gjykatës së Parisit, ka sqaruar për Albanian Post se “kjo çështje është udhë pa krye, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës me shumë gjasë nuk do të njohin asnjë vendim, pasi nuk njohin juridiksionin e Gjykatës”.

Duke qenë se as DASH nuk është në dijeni për padinë, Gjykata e Parisit refuzon të flasë dhe avokati jep një shpjegim jo shumë të qartë rreth arsyeshmërisë së padisë pikërisht në këtë gjykatë, e gjitha ngjan në një përpjekje më shumë për t’u arsyetuar para shqiptareve, sesa para drejtësisë.

Me herët, pas deklaratës së Berishës eksponentë të politikës shqiptare kanë dalë në reagimet e tyre.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, e ka quajtur këtë vendim si “fletërrufe” ndaj Berishës dhe shkruante se vendimi “është porositur nga regjimi i kleptokracisë në Tiranë”, duke akuzuar kështu SHBA-të.

Udhëheqësi i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nga ana tjetër, është shprehur se “vendimi i Antony Blinken-it, nuk cenon arritjet madhore të Shqipërisë nën drejtimin e Sali Berishës, kontributin e tij madhor në demokratizimin e Shqipërisë dhe reformat që e afruan vendin me partnerët tanë Euro-Atlantikë”.

Ndërsa, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zgjodhi të heshtte duke mos dalë në asnjë deklaratë apo reagim mbi çështjen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore