Kosova

Ben-Meir rreth ‘njohjes reciproke’ mes Kosovës e Serbisë: Dialogu të fillojë nga e para – palët të bëjnë koncesione


Alon Ben-Meir

Alon Ben-Meir, profesor dhe njohës i politikës amerikane në Ballkanin Perëndimor, në një artikull autorial të botuar në platformën “Emerging Europe” të hënën, konsideroi se për të arritur njohjen reciproke mes Kosovës e Serbisë, emisari i ri i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun midis dy vendeve duhet të të fillojë nga e para, por edhe që palët të bëjnë koncesione.

“Problemi është se të dyja palët duhet të bëjnë lëshime për të zbutur dallimet e tyre dhe për të arritur njohjen reciproke. Megjithatë, ata duhet të bien dakord paraprakisht se qëllimi i procesit të negociatave, në bazë të ‘jap-marr’, duhet të çojë në njohje reciproke”, vlerësoi Ben-Meir, duke shtuar se dështimi i negociatave të deritanimishme kryesisht i atribuohet dy aspekteve.

“Së pari, BE-ja, si ndërmjetës, nuk insistoi në nevojën e masave reciproke, veçanërisht ndaj Serbisë, për të avancuar procesin e negociatave. Së dyti, ashtu sikurse ka thënë vazhdimisht presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, Serbia nuk do ta njohë Kosovën, pavarësisht rrethanave që ndryshojnë”, kujtoi ai.

Duke folur në një panel në kuadër të samitit “The Western Balkans 2024” në Prishtinë, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, theksoi rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve që Kosova dhe Serbia kanë arritur në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nën ndërmjetësimin e BE-së, deri në finalizimin e procesit që supozohet të përfundojë me njohje reciproke.

Ben-Meir nënvizoi se tani që zgjedhjet e BE-së kanë përfunduar dhe së shpejti do të emërohet një ndërmjetës i ri për të rifilluar dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ai ose ajo duhet të fillojë procesin nga e para.

“Së pari, sanksionet ndaj Kosovës duhet të hiqen dhe të vendoset një strategji e re negociuese e bazuar në një proces negociues reciprok ndërmjet dy vendeve dhe në ofrimin e stimujve për palën që demonstron gatishmëri të vërtetë për të bashkëpunuar”, potencoi Ben-Meir, duke shtuar se negocimi duhet të rifillojë me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Një zgjidhje për këtë problem të veçantë mund të hapë rrugën për përparim të mëtejshëm në shumë fronte të tjera dhe gradualisht me kalimin e kohës ta çojë procesin e negociatave drejt njohjes reciproke. Serbia duhet të reagojë duke mos e penguar anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare ndërsa procesi rreth asociacionit përparon”, shtoi ai.

Në këtë fazë, meqenëse “plani franko-gjerman” kërkon që të dyja palët të marrin masa të barabarta për të çuar përpara njohjen reciproke dhe procesin e integrimit në BE, shtoi eksperti amerikan, ndërmjetësve të BE-së do t’u duhet të krijojnë stimuj për palën që demonstron vullnet, gatishmëri dhe aftësi për të vepruar sipas planit të pranuar nga Kosova e Serbia.

“Duke qenë se Kosova dëshiron të integrohet në BE sa më shpejt, do të jetë detyrë e kryeministrit kosovar, Albin Kurti, ose pasardhësit të tij, që të bashkëpunojë plotësisht me BE-në dhe Shtetet e Bashkuara (SHBA). Kurti nuk ka treguar në të kaluarën një nivel të tillë bashkëpunimi dhe përfundoi duke e tjetërsuar BE-në dhe përfundoi nën sanksione”, u shpreh ai.

Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve vitin e kaluar. Megjithatë, kjo marrëveshje s’e përfshinë njohjen reciproke mes dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat, targat e veturave dhe vulat doganore, që përkthehet si njohje de facto.

Diplomatët e SHBA-së në “konfuzion” për dialogun Kosovë-Serbi

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore