Lajme

BE-ja u kërkon prodhuesve të eksplorojnë prodhimin e metaleve kryesore gjysmëpërçuese


Bashkimi Evropian po u bën thirrje urgjente kompanive të aluminit dhe zinkut që të hetojnë prodhimin e metaleve kryesore gjysmëpërçuese.

Kjo pasi Kina ka njoftuar planet për të frenuar eksportet e galiumit dhe germaniumit.

Vendimi i Pekinit për të zbatuar kufizimet e eksportit për dy mineralet kritike nga gushti ka nxitur një përleshje në Bruksel, Washington dhe Tokyo për të gjetur burime materialesh jashtë ekonomisë më të madhe të Azisë.

BE-ja i është afruar Mytilineos Energy & Metals, një prodhues grek i aluminit, dhe i ka kërkuar që të eksplorojë prodhimin e galiumit si një nënprodukt në rafinerinë e saj që e kthen boksitin në alumin, një material fillestar për aluminin, në Agios Nikolaos në Greqinë kontinentale.

BE-ja siguron 71 për qind të galiumit të saj dhe 45 për qind të germaniumit nga Kina, por ka vetëm një pjesë të vogël të kompanive jashtë Kinës të afta të prodhojnë metale me pastërti të lartë të përdorura në prodhimin e çipave, qelizat fotovoltaike diellore dhe fibrave optike.

Gjendja e rëndë e sektorit të metaleve të Evropës e bën një propozim të vështirë për kompanitë që të investojnë dhjetëra milionë euro për të prodhuar galium pa mbështetjen e shtetit për t’i ndihmuar ato të përballen me kostot e larta të energjisë në rajon dhe inflacionin në rritje.

Nuk është hera e parë që Brukseli ka panik për furnizimet me minerale nën presionin e Kinës.

BE-ka ka bërë përpjekje të ngjashme për të rritur prodhimin vendas të magnezit pasi Kina shkurtoi prodhimin në vitin 2021 për shkak të mungesës së energjisë.

Eurometaux, organi tregtar i bllokut për metalet me ngjyra, ka konfirmuar se disa kompani po kërkonin të përmirësonin elasticitetin e rajonit për germaniumin dhe galiumin.

Por ai ka paralajmëruar se ky është një diskutim më i gjerë i politikës industriale.

“Vitin e kaluar ishte magnezi dhe ne nuk e dimë se cilat metale do të jenë më pas në qendër të vëmendjes gjeopolitike”, ka vijuar ai.

Evropa është në një situatë më të vështirë kur bëhet fjalë për zhvillimin e prodhimit të saj të germaniumit.

Vetëm shkritoret e zinkut që përdorin një proces specifik mund ta rikuperojnë atë, por shumë pak jashtë Kinës e përdorin këtë metodë dhe asnjë në Evropë nuk e bën.

Nyrstar në pronësi të Trafiguras është ndër ata që vlerësojnë ndërtimin e një fabrike rikuperimi dhe përpunimi të germaniumit dhe galiumit prej 150 milionë dollarësh në shkritoren e saj të zinkut në Tenesi, e cila mund të mbulojë 80 për qind të kërkesës amerikane, por do të duhen të paktën dy vjet për t’u ndërtuar.

Umicore, një grup belg i materialeve të avancuara që riciklon germanium, ka thënë se po zhvillon teknologji të bazuara në germanium për të reduktuar përdorimin e materialit.

Çmimet e galiumit janë rritur 28 për qind që nga njoftimi i Kinës, sipas Fastmarkets, një agjenci raportimi i çmimeve.

Por disa drejtues kanë theksuar nevojën që zyrtarët e BE-së të zhvillojnë politika për trajtimin e problemit të kundërt: si të mbeteni konkurrues kur Kina vërshon tregun.

Dy metalet janë ndër ato të listuara si strategjike në një rregullore aktualisht në diskutim, e cila është krijuar për të rritur furnizimet e bllokut me materiale kritike për tranzicionin e gjelbër.

Sakaq, kufizimet e eksportit të Pekinit kanë ardhur pasi Holanda ndoqi Japoninë dhe SHBA-të në kufizimin e shitjes së pajisjeve të prodhimit të çipave të nivelit të lartë jashtë vendit.

Komisioni Evropian ka bërë me dije se po punonte për një analizë të detajuar të kontrolleve të eksporteve kineze dhe nëse ato ishin në përputhje me rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore