Kosova

BE-ja kërkon “progres të prekshëm” për ndriçimin e fatit të të pagjeturve


Ilustrim

Bashkimi Evropian (BE) ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia “progres të prekshëm” në përpjekjet për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë (1999) dhe zbatimin e Deklaratës për Personat e Pagjetur të miratuar nga kryeministri kosovar Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç, më 2 maj në Bruksel.

Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë, Tomas Szunyog dhe kreu i misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, përmes një deklarate të përbashkët, kanë kërkuar ndriçimin e fatit të 1616 të zhdukurve prej më shumë se dy dekadave.

Lajçaku ka thënë se Deklarata për të Pagjeturit synon të mbështesë punën dhe përpjekjet e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK) në lehtësimin e bashkëpunimit të palëve lidhur me këtë çështje, ndërsa ka paralajmëruar themelimin e një Komisioni të Përbashkët të kryesuar nga BE-ja e nën vëzhgimin e KNKK-së.

“Duhet bërë shumë punë nga Kosova dhe Serbia për të siguruar zbatimin e plotë të angazhimeve përkatëse në fushën e Personave të Pagjetur dhe për të forcuar bashkëpunimin në identifikimin e varrezave dhe ekzekutimin e gërmimeve”, ka deklaruar diplomati sllovak.

Deklarata për Personat e Pagjetur – një zotim i kahershëm për t’u marrë me çështjen e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës – është hedhur tërësisht anash, duke qenë se fokusi i bashkësisë së organizuar ndërkombëtare në kuadër të dialogut ka qenë kryesisht situata në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe.

E shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë, Tomas Szunyog, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë, përveçse ka potencuar domosdoshmërinë që zëri i familjarëve të personave të zhdukur nga forcat serbe të dëgjohet, ka kërkuar ngritjen e nivelit të ndërgjegjësimit të publikut për këtë çështje të ndjeshme.

Ndërkaq, shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, ka theksuar se ekspertët evropianë po vazhdojnë të punojnë së bashku me homologët e tyre kosovarë në Institutin e Mjekësisë Ligjore për të përcaktuar fatin e personave të zhdukur, duke ofruar ekspertizë dhe këshilla në identifikimin e varrezave dhe personave të zhdukur.

“EULEX-i ka kryer 746 operacione në terren për gjetjen e personave të zhdukur, duke përfshirë 200 gërmime. Eshtrat e 492 individëve janë identifikuar, përfshirë 339 persona të zhdukur. Ne mbetemi të përkushtuar për të vazhduar këtë punë dhe për t’u dhënë përgjigje familjeve të personave të zhdukur”.

Gjatë luftës së viteve 1998-1999, sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, në Kosovë janë vrarë më shumë se 13 mijë e 500 persona. Në tërë territorin e Kosovës llogaritet të kenë ndodhur rreth 400 masakra nga forcat serbe, ndërsa mijëra mbetje mortore janë gjetur përgjatë viteve në varreza masive në Kosovë dhe në Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore