Bashës i largohet deputetja e parë, pas humbjes së vulës

SHFLETO
Vitjon Nina
13.06.2024 16:11
Loading Icons...

Eralda Bano nuk do të jetë më pjesë e grupimit të Lulzim Bashës brenda Partisë Demokratike, por do të kalojë me shumicën, e cila tashmë është edhe palë zyrtare.

Kështu ka deklaruar vetë deputetja e djathtë, pas vendimit të marrë nga Gjykata e Apelit, e cila vulën e forcës së djathtë politike ia ka lënë Sali Berishës dhe grupacionit të tij.

Në një deklaratë të gjatë për ndjekësit, Bano shpjegon edhe arsyet e kalimit të saj nga grupi i Bashës, drejt atij të Berishës.

Reagimi i Banos

Të dashur qytetarë,

Lufta me veten është lufta më e vështirë dhe forma më sublime e rimëkëmbjes, luftë e cila është e domosdoshme dhe jetike. Kjo luftë do duhet të na forcojë e të na kthejë në modelin më të mirë të vetes.
Demokratë të nderuar,

Dëshiroj të shpreh përulësisht një mirënjohje të thellë për këdo që më ka mbështetur në këto vite!

Jam mirënjohëse ndaj miqve, kolegëve,simpatizantëve të mi dhe kujtdo që ka marrë guximin të më kritikojë. Jam e bindur që në ditë të vështira nevoja për të reflektuar mbi të ardhmen prevalon mbi çdo ideologji, bindje apo mendim.

Jam e vetëdijshme se rruga më e mirë për të rikthyer shpresën në çdo vatër shqiptare është që të kemi një opozitë të formuar, të papërçarë dhe të pathyeshme, sikundër jam e bindur që debati i brendshëm duhet të vazhdojë për të mirën e të gjithëve.

Vendimi im politik është i thjeshtë. Unë jam, dhe do të mbetem deputete e Partisë Demokratike të Shqipërisë.