Sport

Barcelona me hap të madh, fiton dhe bind përballë Valencia-s


Barcelona ka arritur një fitore tejet të vlefshme vetëm një javë para duelit me Real Madrid-in.

Katalunasit, në “Camp Nou”, e pritën skuadrën e Valencia-s në ndeshjen kryesore të javës së nëntë në La Liga.

Në një javë ku Real-i dhe Atletico nuk luajtën për shkak disa problemeve me pushim e shteteve, Barcelona bëri një hap të madh dhe moral.

Por, ndeshja nuk nisi edhe aq mirë për katalunasit.

Vetëm pas pesë minutave lojë, me një goditje shumë të bukur nga jashtë zonës, Jose Gaya i dhuroi epërsinë Valencia-s.

Nga ai moment, Ansu Fati morri në dorë timonin, duke e drejtuar ndeshjen në rrugën e blaugranëve.

Fillimisht, ai shënoi në minutën e 13-të një gol tejet të bukur nga cepi i zonës.

Në fund të pjesës së parë, Fati fitoi një penallti të cilën më pas e shndërroi në gol Memphis Depay.

Barcelona e kontrolloi shumë mirë pjesën e dytë, duke mos i dhuruar mundësi të mira për shënim skuadrës së Valencia-s.

Pesë minuta para fundit, “i ringjalluri” Coutinho e gjeti golin për të vulosur rezultatin përfundimtar 3-1.

Javën e ardhshme, po në “Camp Nou”, Barcelona do të presë Real Madrid-in për ‘El Clasico-n’ e madhe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore