Shqipëria

Balluku: Energjia për Kosovën pa pagesë, ta kthejë kur të mundet


Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në një dalje publike ka shpjeguar edhe një herë se si do të funksionojë ndihma e dhënë nga Shqipëria për Kosovën sa i përket energjisë elektrike.

Balluku u shpreh se furnizimi dyditor do të fillojë në orën 7 të datës 31, deri në orët e vona të datës 1 janar.

“Do të jetë një instrument në formën e depozitimit, pra nuk presim shkëmbim financiar”, shpjegoi ministrja.

Kosovës, energjia do t’i jepet pa pagesë dhe do të kthehet kur ky shtet të ketë mundësi, apo dhe Shqipëria të ketë nevojë.

“Kjo sasi energjie mund të na kthehet kur ata të kenë komoditetin, ndoshta në muajin qershor, kur Shqipëria ndeshet me mungesat hidrike”.

Edhe vetë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, më 28 dhjetor reagoi mbi situatën e krizës energjetike në Kosovë.

Përmes një cicërime në median sociale Twitter, numri një i qeverisë shqiptare shkroi se ka kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë vlerësimin e çdo mundësie ndihme për Qeverinë e Kosovës.

Privatizim i e-Albania, pas rrjedhjes së të dhënave personale të shtetasve?

E pyetur nga gazetarët nëse portali e-Albania do të privatizohet, pas rrjedhjes së të dhënave personale të shtetasve shqiptarë, ministrja e mohoi një gjë të tillë.

Ishte data 22 dhjetor 2021, kur fillimisht pati një publikim të jashtëligjshëm të një databaze me të dhënat e 637 mijë e 138 tatimpaguesish, duke qarkulluar me shpejtësi në rrjetin social “Whatsapp” dhe alarmuar publikun.

Pavarësisht se Prokuroria e Tiranës hapi një hetim, më pas do të bëheshin publike edhe dy rrjedhje të tjera të të dhënave personale, dy databaze, ku pasqyroheshin pagat e muajt prill 2021 dhe targat e makinës së shtetasve shqiptarë. 

Disa ndryshime në ligjin e minierave

Ministrja njoftoi edhe për ndryshimin e disa neneve, të cilat rregullojnë sistemin e dhënies së lejeve minerare.

“Projekti për energjinë dhe klimën, objektivat do të zbatohen deri në vitin 2030. Sot është marrë një vendim për lejet minerare, masa e mbajtur nga paratë që depozitohen si garanci e që më pas përdoren për të gjitha kthimet në identitet sot, sipas kërkesës, kanë shkuar në 10%”, tha ajo.

Gjithashtu, Balluku bëri me dije se disa projektvendime të tjera kishin të bënin me shpronësimet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore