Ballkani Perëndimor, përballë presionit të lartë migrator

SHFLETO
Sadiola Xhelili
13.10.2022 20:00
Loading Icons...

Frontex-i, në përgjigje të presionit të lartë migrator, ka më shumë se 2 mijë e 360 oficerë dhe staf të trupave në seksione të ndryshme të kufirit të jashtëm të Bashkimit Evropian.

Ata janë të vendosur edhe në Shqipëri, Serbi, Mal të Zi dhe Moldavi.

Në total, më shumë se 2 mijë e 300 oficerë dhe staf të Frontex-it marrin pjesë në aktivitete të ndryshme operacionale.

Në nëntë muajt e parë të këtij viti janë zbuluar afro 228 mijë e 240 hyrje të parregullta në kufijtë e jashtëm të BE-së.

Çka paraqet një rritje prej 70 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Njëherazi është totali më i lartë i regjistruar për tre tremujorët e parë të vitit që nga viti 2016.

Shtetet Anëtare të BE-së, regjistruan në muajin shtator rreth 33 mijë e 380 kalime të parregullta, 25 për qind më shumë se në të njëjtin muaj të vitit 2021.

Rruga e Ballkanit Perëndimor vazhdon të jetë rruga më aktive e migracionit për në BE me 19 mijë e 160 zbulime në shtator, dy herë më shumë se një vit më parë.

Dhe ky numër i lartë i kalimeve të paligjshme kufitare mund t’i atribuohet përpjekjeve të përsëritura të kalimit nga migrantët tashmë të pranishëm në Ballkanin Perëndimor.

Po ashtu presioni mbetet i lartë në itinerarin e Mesdheut Qendror, me ardhjet e përditshme që rëndojnë kapacitetet e pritjes në Itali.

Frontex-i mbështet autoritetet italiane me oficerë për regjistrimin dhe identifikimin e të ardhurve. Në shtator, në këtë itinerar janë regjistruar rreth 7 mijë e 200 kalime të parregullta, pak më shumë se në vitin 2021.

Ata që largohen nga Ukraina dhe hyjnë në BE përmes pikave të kalimit kufitar nuk janë pjesë e shifrave të hyrjeve të paligjshme të zbuluara.

Referuar të dhënave të fundit të Frontex-it, më shumë se 11 milionë shtetas ukrainas kanë hyrë në BE nga Ukraina që nga fillimi i luftës. Në të njëjtën kohë, një numër i konsiderueshëm shtetasish ukrainas janë kthyer në vendin e tyre.

Në nëntë muajt e parë të vitit 2022, numri i migrantëve të parregullt të zbuluar në Kanal tejkaloi shifrën vjetore për vitin 2021.

Deri më tani, kjo përfaqëson një rritje prej 68 për qind në të njëjtën periudhë të vitit 2021, duke përfshirë përpjekjet dhe kalimet me varka të vogla.

Me afrimin e dimrit, numri i përpjekjeve mund të rritet përpara se kushtet e detit të përkeqësohen dhe ta bëjnë kalimin më të rrezikshëm.

Këto të dhëna paraprake i referohen numrit të zbulimeve të kalimit të parregullt të kufirit në kufijtë e jashtëm të BE-së. I njëjti person mund të tentojë të kalojë kufirin disa herë në vende të ndryshme në kufirin e jashtëm.

Kur Zhizhek fliste për çështjen e rishikimit të kufijve në Ballkan: “Kosova dhe Serbia duhet t’i shkëmbejnë territoret dhe pastaj Kosova t’i bashkohet Shqipërisë”

SHFLETO