Balliu flet për Marca: Spanja s’ka diferenca mes lojtarëve, duhet të mendojmë fitoren

SHFLETO
Vitjon Nina
22.06.2024 19:59
Loading Icons...

Lojtari i Kombëtares shqiptare të futbollit, Ivan Balliu, ka folur përpara takimit vendimtar të së hënës mes Shqipërisë dhe Spanjës, ku kuqezinjtë luajnë shansin e fundit për kualifikimin nga grupi drejt fazës me eliminim direkt, për të parën herë në histori.

Sipas Balliut, pavarësisht lajmeve se Spanja mund të luajë me lojtarët e stolit, kjo nuk do të thotë gjë, pasi spanjollët nuk kanë ndryshime të mëdha mes lojtarëve.

Teksa, vëmendjen, kuqezinjtë duhet ta kenë për nga fitorja.

Në një intervistë për Marca-n, Ivan Balliu, i cili luan në La Liga dhe e njeh shumë mire kontigjentin e “La Roja-s”, thekson se ndaj Spanjës do të jetë shumë e vështirë ndërsa shtoi se një rëndësi të veçantë do të ketë edhe leximi i ndeshjes dhe momenteve të saj.

“Nico Williams dhe Yamine Lamal janë të frikshëm. Nuk rreshtin së kërkuari, insistuari. Ndoshta nuk ia dalin të të kalojnë në një apo dy raste, por të mbajnë në tension gjatë gjithë kohës sepse mbrojtësi e di që ata nuk dorëzohen. Ndeshjen mes Italisë dhe Spanjës, e pashë me shokët e kombëtares. Ata më bënë shumë pyetje për lojtarët spanjollë, sidomos për Nico Williams, sepse Lamal e njohin pak më tepër. Por, ua bëra të qartë se çfarë niveli kanë këta dy lojtarë”, thotë fillimisht Balliu për Marca.

Më tej, ai vijon: Nuk e di nëse mund të konsiderohet një avantazh që një pjesë e titullarëve nuk do të jenë nga minuta e parë me Shqipërinë, Spanja ka nivel shumë të lartë dhe ata të stolit nuk kanë diferenca. Aty ka emra si Dani Olmo, Ferran Torres apo Ayoze Perez. E patë sa punë i hapi Italisë ky i fundit?

“Megjithatë, ne si Shqipëri na duhet vetëm fitorja, është e vetmja mënyrë për t’u kualifikuar pas dy ndeshjeve të para. Do të na duhet të rreshtohemi shumë mirë dhe t’i mbyllim hapësirat Spanjës, nuk duhet të mendojmë për një rezultat tjetër veç fitores, por duhet ta lexojmë ndeshjen në mënyrën e duhur”, vijoi ai.

Me shaka ndërkaq, shton se do t’i thotë presidentit të Federatës, që nëse spanjollët sillen mirë në fushë, atëherë duhet t’i ftojë të kalojnë disa ditë pushimi në plazhet spektakolare në jugun e Shqipërisë.

“E dimë që do të jetë një sfidë e madhe për të mposhtur Spanjën, një nga skuadrat më të mira të Evropianit. E sigurt është vetëm që do të fitojmë në tribuna, në të gjitha ndeshjet që kemi luajtur me kombëtaren kemi pasur një mbështetje të jashtëzakonshme. Mbështetja e tifozëve këtu në Gjermani është spektakolare”, përmbyll Balliu.