Film

Avatar: Dëshmia se kinemaja e mirë e tërheq shikuesin dhe se James Cameron…është James Cameron


Asgjë nuk është e humbur.

Kështu thotë artisti kanadez The Weeknd në kolonën zanore të filmit më të ri të James Cameron, instalimit të dytë të sagës Avatar – The Way of Water – i cili në ditën e 12-ë të shfaqjes në kinematë botërore, pritet të kapë edhe shifrën prej 1 miliard dollarësh të biletave të shitura.

Në fakt, vërtetë asgjë nuk është e humbur dhe bota e Hollywood, po e dëshmon gjithë narrativen zhvilluese të frekuentimit të ekraneve të mëdha, një kohën kur koncepti “streaming” e ka terrenin e shtruar me ar çdo ditë e më shumë.

Avatar pati një rastësi të keqe në nisjen e shfaqjeve, sepse një prej stuhive dimërore më të ashpra, e goditi Amerikën plotësisht dhe i la në shtëpi një pjesë të mirë të amerikanëve…apo jo?

Në gjithë 1 miliardëshin e parë që Avatar 2 do të fitojë në 12 ditët e para, 30% e kësaj shume, do të vijë nga tregu më i madh në botë, pikërisht ai i SHBA-ve.

Me 300 milionë dollarë në dy ditë, praktikisht James Cameron ka arritur t’i fusë “të dridhurat” gjithë rivalëve dhe t’i tregojë atyre se nuk është një industri në rënie ajo e Hollywood, ku klientët (filmdashësit) preferojnë të presin ta shijojnë qetë e ngrohtë në shtëpi gjithë spektaklin e ofruar nga ai.

Përkundrazi. Në acarin më të ashpër ndër dekada, ata kanë mbushur sallat dhe vijojnë ta bëjnë diçka të tillë, sepse vetë oferta (emocionale, vizuale, kinematografike), është shumë e lartë për t’u përvetësuar nga një ekran 42” në kolltuk, me një sound bar gjysmë të efektshëm, apo më keq akoma, me cilësinë e reduktuar të ekraneve dhe zërin e vetë pajisjeve televizive.

Këto të fundit në të vërtetë teknologjikisht kanë përparuar përtej parashikimeve, por në Pandora nuk të çojnë dot ashtu siç është nënkuptuar…në ekranin e madh të kinemave.

Çasti hamletian nuk mbeti i vetëm për Avatar – The Way of Water dhe personazhet e tija, të cilët duhet të përballen me të shkuarën dhe të ardhmen njëkohësisht.

Çasti hamletian vjen edhe për vetë shikuesin e shastisur, i cili kupton pas filmit se nëse gjithçka do të dukej (dhe krijonte ndjesi si Avatar), do të dilnin nga shtëpia më shpesh, më thjeshtë, më pak llogaritarë e shumë më shumë ndjesorë.

“Bishtin” e tyre jetësor do ta lidhnin me mënyrën si nënkuptohet që filmat të përthithen.

“James Cameron nuk e bën atë çfarë James Cameron bën, për James Cameron”, thotë një version i animuar i regjisorit emblematik, pas përmbylljes së një misioni kërkimor në pikën më të thellë të oqeaneve që ai reali, vetë kineasti, ka kryer në gropën Mariane.

“James Cameron bën çfarë James Cameron bën, sepse James Cameron, është James Cameron”.

Kësisoj, edhe Avatar, 13 vjet pas filmit të parë në vitin 2009, e rrëfen vetvetiu se është Avatar, filmi me shumatoren më të madhe të mbledhur ndonjëherë në historinë e kinemasë, me 2.85 miliardë dollarë bileta të shitura.

Do ta tejkalojë The Way of Water këtë shumë? Me gjasë jo!

Misionin gjithsesi, përndryshe nga 13 vjetët e pritjes, e përmbushi ende pa bërë 13 ditë në sallat e mëdha botërore.

Universin (atë kinematografik), vetë audienca mund ta shkatërrojë, apo t’i japë jetë.

Kafka, është në dorën e saj…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore