Kosova

“Asnjëherë s’kam vjedhur”, thotë Nagavci pas akuzave të opozitës


Foto: Albanian Post.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, është akuzuar nga deputetët e opozitës për keqpërdorim me subvencionimin e teksteve shkollore në Komisionin Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe arsimit të mesëm të ulët për 2023/2024.

Akuzat e deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ardian Kastrati, ishin se ajo ka favorizuar shtëpinë botuese “Albas” për tekstet shkollore që sipas tyre nuk i kanë plotësuar kriteret e kërkuara.

“Ju thatë që janë 11 milion në krahasim me shpenzimet e harxhuara, pasi që në të kaluarën janë shpenzuar më pak e ka pas shumë më shumë nxënës. Ndërsa, tani janë më pak nxënës e më shumë janë shpenzuar. A konsiderohet korrupsion kjo? Çështja e dytë është se çmimet tani janë më të larta, nuk u pajtuat për afro 5 milion ndërsa tani kushtojnë dyfish ose trefish më shtrenjtë?”.

Ministrja Nagavci akuzave i është përgjigjur duke thënë se “unë asnjëherë s’kam vjedhur”.

“Kurrë asnjëherë as dje as kurrë nuk jam person që vjedhi, e dyta pyetet për buxhetin, për çdo ekzekutim të pagesës është verifikuar përmes ministrive që ekzekutojnë nga thesari i shtetit, Ministria e Financave dhe banka”.

Ajo ka thënë se rastet ku dyshon se ka pasur keqpërdorime i ka drejtuar tek organet kompetente.

“Unë kam adresuar aty ku duhet tek organet kompetente kur ka pas keqpërdorime. Si deputete kam qenë korrekte, kam adresuar fakte nuk kam shpifur, nuk kam thënë diçka që se di as vetë”, deklaroi ajo.

“Aventurat” e Nagavcit me Shtëpinë Botuese ALBAS: Bashkëpunëtorët e ministres – ata i botojnë libra, ajo iu jep tenderë

“Aventurat tona të verës – pushimet magjike”, ka titullin një libër për fëmijë që Arbërie Nagavci e ka shkruar bashkë me motrën e saj Krenare Lleshi dhe një autore tjetër Alida Thaçi.

Ky është vetëm një nga pesë librat që Arbërie Nagavci ka shkruar për këtë shtëpi botuese, e cila pas ardhjes së Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet ka fituar tenderë vazhdimisht nga Ministria e Arsimit dhe aktualisht parashihet se ka kapur rreth 30 për qind të tregut të përgjithshëm në Kosovë.

Nagavci e ka të deklaruar edhe në formularin e deklarimit të pasurisë se ka pranuar para nga Shtëpia Botuese ALBAS, por aty nuk e tregon shumën.

“Autorësia e pesë librave (ALBAS)”, shkruan në të dhënat e pasurisë Nagavci, pa u specifikuar shumë e pranuar.

E njëjta Shtëpi Botuese, vitin e kaluar, kishte fituar të drejtën për të ndarë librat për shkollat në Luginë të Preshevës.

Sipas shtëpisë botuese ALBAS, ata kanë shpërndarë 221 mijë e 314 euro libra.

Për librat shqip kërkonin 159 mijë e 965 euro, kurse për ato në gjuhën angleze 61 mijë e 384 euro.

Me kërkesë të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Preshevë, MASHT-i ekzekutoi këto shuma në xhirollogari të bashkë-punëtorëve të Nagavcit.

Nuk është e qartë se a ka pasur procedura të prokurimit dhe si është zgjedhur shtëpia botuese ALBAS për të marrë rolin e shpërndarësit të librave në Preshevë.

Tradita nuk ndryshoi as në vitin 2023.

Është pikërisht ALBAS, që me vendim qeveritar do të marrë plotë 254 mijë e 562 euro e 30 centë, për pajisjet me tekstet shkollore gjatë vitit 2023.

Prapë, nuk është e qartë përse ishte vendosur që të angazhohet e njëjta shtëpi botuese për shpërndarje të librave.

Sipas njohësve të librave shkollorë, ALBAS ka çmimet më të larta në treg krahasuar me shtëpitë të tjera botuese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore