Asgjë e re, Vetëvendosje flet prapë për Astrit Deharin
Foto nga Albanian Post
Valon Rashiti
13.08.2024 7:30Dy ekspertiza ndërkombëtare nuk kanë arritur të konstatojnë se aktivistin e Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Deharin, e ka vrarë dikush në burg në vitin 2016 dhe po të dyja konstatojnë se aludimi për vetëvrasje është më i qëndrueshëm.
Por, pa asnjë provë, anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje Sami Kurteshi, ka akuzuar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-kryeparlamentarin kosovar, Kadri Veseli, duke pretenduar se të njëjtët kanë dhënë urdhër “për vrasjen” e Deharit.
Në një adresim para gazetarëve të hënën, Kurteshi ka akuzuar institucionet kosovare, përfshirë policinë dhe Agjencinë Kosovare të Inteligjencës duke thënë se ata kanë qenë të përfshirë në “inskenim” të rastit.
Gjithashtu, ai ka akuzuar edhe Prokurorinë Speciale për “zvarritje” të rastit, duke theksuar se pesë prokurorë që janë marrë me zbardhjen e rastit Dehari kanë qenë në prag të pensionimit.
Ndërsa opozita ka reaguar pas konferencës së Lëvizjes Vetëvendosje në lidhje me rastin e Deharit, duke thënë se nuk është përmendur fare djegia e Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe humbja e mostrave të Deharit gjatë kohës kur kjo parti është në pushtet.
Dehari pjesë e grupit që sulmoi Kuvendin?
Dehari ishte anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, i arrestuar bashkë me disa pjesëtarë të tjerë të kësaj lëvizje, nën akuzat se kanë sulmuar Kuvendin e Kosovës.
Madje, policia në shtëpitë e tyre kishte gjetur armë të llojeve të ndryshme dhe prova të mjaftueshme për sulmin ndaj kuvendit.
Organet e rendit përmes një konference për media kishin njoftuar se grupi në fjalë ka marrë përgjegjësi për sulmin ndaj kuvendit, teksa pjesë e tij ishte edhe i ndjeri Dehari.
Ai vdiq në burg. Zyrtarisht u konstatua se ka bërë vetëvrasje, por Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të insistoj se dikush e ka vrarë atë, derisa sipas opozitës LVV-ja e ka ndezur makinerinë e saj “të turpshme”, për qëllime elektorale dhe politike.
Ndërkaq nga atëherë, provat janë dërguar edhe në institute jashtë vendit, por nuk është arritur të konstatohet se ka pasur persona të tjerë të përfshirë në vdekjen e Deharit.
Familja e tij, qysh nga vdekja, po vazhdojnë betejën për zbardhjen e rastit. Ata, njëjtë si Vetëvendosje, mendojnë se dikush ua vrau djalin, teksa këtë të hënë ishin para organit të akuzës për të kërkuar drejtësi.
Çfarë saktësisht thanë raportet e ekspertizës për vdekjen e Astrit Deharit
Dy ditë pasi aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, ishte gjetur i vdekur në qelinë e tij në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, me urdhër të prokurorit të rastit, Metush Biraj, ishte kryer autopsia.
Autopsia u bë në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ndërsa ekzaminimet ishin kryer nga tre mjekoligjorë, Flamur Blakaj, Naim Haliti e Musa Gashi, me prezencë të një përfaqësuesi të EULEX-it e disa personave të tjerë si ekip mbështetës.
Në këtë raport të autopsisë, tre mjekoligjorët kishin treguar se Astrit Dehari është dërguar në spital pa shenja jete, pa vetëdije, pa puls dhe pa tension të lartë të gjakut.
Ata kishin përmendur edhe detaje të dëmtimeve të jashtme të trupit të Deharit, pas pranimit në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Tre mjekoligjorët Flamur Blakaj, Naim Haliti e Musa Gashi kishin konstatuar se vdekja e Astrit Deharit ka ardhur si pasojë e “asfiksisë mekanike nga mbyllja i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes nga mjeti me konsistencë solide (të fortë)”.
Siç ceket në raport, “mekanizmi i vdekjes mund të shpjegohet me ndaljen reflektore të punës së zemrës, mbase edhe i shoqëruar me ngacmimin autonom të pleksusit nervor laringeal-spazëm laringeale”.
Këto dëmtime të përshkruara, specifikonin mjekoligjorët, janë dëmtime të vetë shkaktuara “hezituese” të cilat kanë qenë të shoqëruara me gjakderdhje të jashtme, po të cilat nuk kanë çuar në shok hemorragjik.
Pas përfundimit procedural të autopsisë, më 18 nëntor të atij viti , ish-kryeprokurori i Prokurorisë së Prizrenit, Sylë Hoxha, në një konferencë për medie kishte thënë se Dehari kishte kryer vetëvrasje, ndërsa shkaqet e vdekjes ishin asfiksia, problemet me organet e frymëmarrjes.
Familjarët dhe përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje të bindur që Dehari nuk ka bërë vetëvrasje dhe të pa kënaqur me rezultatet e institucioneve të Kosovës, kërkuan që një ekspertizë tjetër të kryhet në Lozanë të Zvicrës, ku edhe kishte jetuar më parë familja Dehari.
Tre vjet më vonë, Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë tha se vdekja e Deharit është “rezultat i asfiksisë, sigurisht me ngulfatej të llojit Smuthering”.
Në raport thuhet se hipoteza që lëndimet që kishte Dehari “janë shkaktuar nga një person i tretë me qëllim të maskimit të krimit duhet të evokohet dhe përjashtohet”.
Por, ata s’mund të bënin konstatim përfundimtar, prandaj shtohej se “Ekzaminimet plotësuese janë të nevojshme për të përjashtuar intervenimin e personit të tretë në vdekjen e Astrit Deahrit”.
Në anën tjetër Prokuroria Themelore në Prizren kishte paralajmëruar vazhdim të hetimeve lidhur me rastin.
Lidhur me të gjeturat e raportit të ri të ekspertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, publikun e njoftoi Prokuroria Speciale e Kosovës, e cila tregonte se nga mostrat e ekzaminuara nuk gjetën ADN të tjetër kujt, pos të vetë viktimës.
“Në bazë të të gjitha elementeve që kishim në dispozicion dhe pas analizave të kryera në laboratorët e QURML dhe të Shkollës së Shkencave Kriminologjike (ESC)”, thuhet në raportin e publikuar më 12 prill, “analizat e ADN-së të ndërmarra mbi objektet që kanë qenë në kontakt me viktimën në një moment të afërt me vdekjen (brisk rroje, stilolaps i lidhur me një lidhëse këpucash dhe një pjesë metali) nuk kanë treguar profil ADN tjetër përveç se atij të z.Astrit Deharit”.
“Ekzaminimi i fotografive të objekteve ka treguar se nuk është nxjerr asnjë gjurmë e gishtave që ka mundur të përdoret. Gjithashtu ekzaminimi i objekteve fizike (shishja e plastikës, brisk rroje, stilolaps i lidhur për lidhësen e këpucës dhe pjesa e metaltë) kanë treguar se tentativa të reja për të gjetur gjurmë të gishtave në këto objekte nuk ishin relevante’.
Në analiza toksikologjike të gjakut të Astrit Deharit nuk kanë gjetur prani të etanolit.
“Nuk rekomandojmë analiza plotësuese në fushën e gjenetikës, të daktiloskopisë dhe të toksikologjisë”, thuhet më tej në raport.
Trupi i të ndjerit përbën provën më të rëndësishme, vlerësojnë mjekët zviceran, “por edhe provën e cila më së paku është përdorur”.
“E vetmja mënyrë për të gjetur prova të mundshme do të ishte të ri- ekzaminohej trupi pas një exhumimi (zhvarrosje). Megjithatë, duke pasur parasysh sa kohë ka kaluar dhe sa e rëndë është kjo masë, nuk e rekomandojmë”, përfundon raporti i tretë i Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës.
Gjenden të gjitha mostrat e Astrit Deharit – s’dihet kush i mori e s’dihet kush i ktheu
Më 8 dhjetor të 2022-së, Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), i ishin zhdukur mostrat e Deharit, por pas pothuajse një viti e gjysmë mostrat e ish aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, ishin gjetur dhe janë kompletuar.
Lajmi ishte bërë i ditur për Albanian Post nga burime brenda IML-së, të cilët kanë thënë se janë gjetur “nga Komisioni i Inventarizimit”.
“Kush i mori dhe kush i ktheu ose s’i ka marrë askush ne nuk e dimë akoma. Ka mundësi edhe që janë gjetur më herët, por janë zyrtarizuar tani”.
“Por, hetuesia ka qenë të premten për këtë arsye”, ka thënë burimi.
Sipas informacioneve që ishin bërë publike në atë kohë ishte thënë se mungonin 12 epruveta me gjak.
Nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, kur ishin pyetur nga gazetarët për video-incizimet ku shihet se kush i ka zhdukur mostrat e aktivistit Astrit Dehari, kishin thënë “se nuk kanë pasur qasje në ato video, sepse janë marrë nga Policia e Kosovës me urdhër të Prokurorisë Speciale”.
Kur dhe si u zhdukën mostrat e Astrit Deharit?
Në një konferencë për media më 8 dhjetor të 2022-së, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte bërë të ditur se ishin zhdukur mostrat e Deharit nga laboratori i toksikologjisë.
Për Haxhiun, ky akt përveç se ishte i rëndë ishte edhe kriminal.
“Për këtë arsye mbrëmë e kam njoftuar Kryeprokurorin e Shtetit, Besim Kelmendin si dhe Drejtorin e Policisë, Fehmi Hoti. Sot në mëngjes kam vizituar Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe nga zyrtarët kompetent jam njoftuar si në vijim”.
Për këtë rast, katër persona të dyshuar u suspenduan.
Ndërkaq për herë të tretë herë brenda dy viteve, Instituti i Mjekësor Ligjor (IML), u përfshirë nga zjarri, institucion ky në të cilin mbahen prova të rëndësishme për vdekjet e dyshimta në Kosovë.
Por, sipas vlerësimeve preliminare shkaku i zjarrit ka qenë defekti elektrik në njërën nga pajisjet elektrike në korridor.
Dehari ishte gjetur i vdekur në qelinë e tij në qendrën e paraburgimit në Prizren, më 5 nëntor të vitit 2016.
Ai po mbahej në paraburgim si i dyshuar për sulmin ndaj Kuvendit, i kryer në gusht të atij viti.
Dehari kishte vdekur në ditën e 68-të të qëndrimit të tij në paraburgim në Prizren.