Kosova

Arrestohet një person i dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviçit


Oliver Ivanoviç, i vrarë më 16 janar të vitit 2018.

Policia e Kosovës ka arrestuar të mërkurën me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës një person me inicialet M.M., i nacionalitetit serb i dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviçit.

Këtë e ka bërë të ditur Prokuroria Speciale përmes një komunikate për media.

“Prokuroria Speciale njofton se i pandehuri M.M., dyshohet si anëtar i grupit kriminal të organizuar ka marrë pjesë aktive në kryerjen e veprave penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të  KPRK-së, lidhur me veprat penale ‘’Vrasje e rëndë’’ sipas nenit 179 paragrafi 1.9,  të KPRK-së, në vrasjen e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq, së bashku edhe me të akuzuarit  e tjerë N.S., M.R., R.B dhe S.A., ku për të cilët është duke vazhduar gjykimi në Gjykatën Themelore në Prishtinë”, thuhet në komunikatë.

Ndërkaq, për të njëjtin është thënë se që nga fillimi i vitit 2019 ka qenë i parritshëm për organet e ndjekjes edhe pse pasur urdhërarrest në fuqi dhe më datë 19.10.2022, në orët e mbrëmjes është arrestuar nga Policia e Kosovës.

Ndaj të njëjtit do të vazhdohet me procedurat sipas Kodit të Procedurës Penale, ku brenda afateve ligjore do të bëhet edhe  kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, në mënyrë që procedura penale të vazhdoj pa pengesa.

Më 18 tetor, dëshmitari i mbrojtur, identiteti i të cilit nuk dihet, në rastin e vrasjes se politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviç, ka refuzuar të deklarohet me arsyetimin se jeta e tij mund të rrezikohet, pas këtij akti.

Njëra nga seancat për zbardhjen e vrasjes së Oliver Ivanoviç.

“Unë e di rëndësinë e deklaratës sime, mirëpo në rend të parë është siguria e jetës”, ka thënë dëshmitari i mbrojtur në seancën gjyqësore këtë të martë.

Të akuzuarit Nedejklo Spasojeviç, Marko Roshiç, Rade Basara dhe Silvana Arsoviç ngarkohen  se në bashkëpunim edhe me të pandehurit që janë në arrati Zheiko Bojiç, Zvonko Veselinoviç dhe Milan Radoiçiç kanë kryer vrasjen e Oliver Ivanoviç’it.

Seanca fillestare ishte mbajtur me 11 shkurt 2020, kurse Gjykata Themelore në Prishtinë, më 6 prill 2020, kishte refuzuar kërkesat për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimet e provave.

Pas ankesave të katër avokatëve, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesat e mbrojtësve dhe çështja ishte kthyer në rivendosje.

Sipas Apelit, në rivendosje nga gjykata e shkallës së parë duhet të eliminohen kundërthëniet, duke i dhënë mundësi prokurorit për tu deklaruar ose për ta korrigjuar dhe plotësuar aktakuzën në mënyrë që aktakuza të jetë në përputhje me nenin 241 të KPPRK-së.

Ivanoviç u vra më 16 janar 2018, me gjashtë të shtëna në shpinë, përpara zyrës se  partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.

Në kohën e ngjarjes, Ivanoviç ishte në proces gjyqësor, për pretendime mbi vrasjen e shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës çlirimtare të vitit 1999. Deri në vitin 2008, ai ishte kreu i serbëve të Kosovës.

Pas firmosjes së marrëveshjes së Brukselit, Serbia dhe Kosova filluan normalizimin e raporteve. Nga kjo kohë qasja e Ivanoviç në politikë ishte moderuar. Në vitin 2014 ai u akuzua për krime lufte dhe u burgos.

Në 2016-ën, u dënua me nëntë muaj burgim nga misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë – EULEX. Ndërkohë në vitin 2017, Gjykata e Prishtinës e anuloi këtë vendim duke e liruar politikanin serb dhe duke rinisur një proces të ri.

Gjatë kësaj kohe, Ivanoviç mori kërcënime të shumta, deri në çastin e vrasjes së tij, në janar të 2018-ës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore