Kosova

Arrestohet i dyshuari kryesor për plagosjen e trefishtë në Pejë


Ilustrim.

I dyshuari kryesor, Agron Gashi, 21 vjeçar i njohur me nofkën “Gon Ozdrimi”, për plagosjen e trefishtë në Komunën e Pejës që ndodhi të mërkurën, është arrestuar dhe të njëjtit i është vendosur masa e ndalimit për 48 orë.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.

“Personi i dyshuar për vrasjen të rëndë në tentative para pak momente është arrestuar dhe me vendim të prokurorit të shtetit është ndaluar për 48 orë”, ka deklaruar Nikçi për AP.

Të mërkurën në mbrëmje ishte arrestuar edhe një i dyshuar për dhënie të ndihmës për kryerjen e kësaj vepre penale.

Njëri nga personat që ka mbetur i plagosur nga ky rast është në gjendje të rëndë shëndetësore.

Shefi i Klinikës Intensive në QKUK, Shaqir Uka, në një bisedë për Albanian Post, ka bërë të ditur se stafi mjekësor është duke bërë maksimumin për të stabilizuar gjendjen shëndetësore të pacientit.

“Po, njëri nga të plagosurit është në Klinikën Intensive duke u trajtuar. Plagët janë në regjionet e poshtme të barkut (abdomenit) që kanë përfshi lëndimet të enëve të mëdha të gjakut, dëmtime të kockës në këmbën e majtë të cilat kanë qenë shumë gjakderdhëse”, tha Uka, duke shtuar se intervenimi kirurgjik ndaj pacientit ka zgjatur me orë të tëra.

“Pacienti vazhdon të jetë në gjendje shumë të rëndë shëndetësore. Pacienti i është nënshtruar intervenimit kirurgjik i cili ka zgjatur nga mesnata deri në orët e mëngjesit”, tha Uka.

Pacienti që po trajtohet në QKUK është një nga tri viktimat e një sulmi me armë zjarri që ndodhi në Pejë, për motive që organet e rendit akoma nuk i kanë bërë të qarta.

Nga një video që po qarkullon në rrjete sociale e këtij rasti, xhirim amator nga një dëshmitar okular, shihet një person tek provon ta qëllojë me armë zjarri një tjetër.

Më pas, përfshihet edhe një person i tretë dhe përfundimisht dorasi qëllon të dy duke i lënë të shtrirë në tokë.

Viktimat fillimisht u dërguan në Spitalin Rajonal të Pejës për t’u transferuar në QKUK për kujdes intensiv.

Por, nata e të mërkurës së 22 majit nuk pa vetëm këtë rast të plagosjes në Pejë.

Një tjetër ngjarje e ngjashme ka ndodhur edhe në Prizren ku mbetën të plagosur dy presona në një rast ku policia njofton të jenë të përfshirë 11 persona.

Policia ka njoftuar se po i vazhdon hetimet për të dyja rastet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore