Arrestimi i Salianjit, Basha: Pazari Rama-Berisha, merr vulën-jep Salianjin

Ata akuzojnë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, për situatën e krijuar
SHFLETO
Brixhilda Xhuraj
28.09.2024 19:29
Loading Icons...

Grupimi i Demokratëve Euroatlantikë – të drejtuar nga Lulzim Basha – kanë reaguar nëpërmjet një postimi për arrestimin e deputetit, Ervin Salianji.

Ata akuzojnë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, për situatën e krijuar.

Sipas tyre, arrestimi i Salianjit ka qenë një pazar mes të dyve.

“Pazari i ndyrë Rama-Berisha, merr vulën-jep Salianjin, nuk mbulohet dot me diarrenë mediatike të këtyre vemjeve politike dhe as të mediave të blera prej tyre”.

Në reagim theksohet se Basha as nuk feston, as gëzon dhe as i përdor këto raste.

“Politikanët reagojnë me akte dhe vendime jo me deklarata të tipit ‘kurrë me Berishën’, e pastaj presin mëshirën e tij poshtë ballkonit. Ky lëpirësi që u shfaq sot t’u thotë demokratëve si ka mundësi që të njëjtit gjyqtarë që dënuan Salianjin, ia dhanë vulën Berishës? Pse këta gjyqtarët dje ishin heronj e sot u bënë vasalë të Edi Ramës?”

Dorëzimi i Salianjit

“Do të përballem edhe më këtë pengmarrje, do të bëj betejën, do shihemi së shpejti. Këta nuk do ngopen me të keqen, ne do bëjmë mirë, e vërteta në fund do triumfojë”.

Kështu është shprehur deputeti demokrat Ervin Salianji nga selia e PD-së, teksa është vetëdorëzuar në Policinë e Tiranës.

Kjo, pasi Gjykata e Apelit ka vendosur një vit burg.

“Pavarësisht se gjatë diskutimeve, grupi i PD ka vendosur të ngujohej me idenë e një përplaste që qartë duke qenë se është vendim politik, por duke qenë se unë jam shprehur se do përballen kudo që ta kërkojnë, duke privuar lirinë 1 vit, do ta bëj betejën aty. Beteja do jetë një betejë që shpresoj të frymëzojë të gjithë qytetarët. Ne s’jemi siç thotë Edi Rama, që më të mirë se ne s’ka, ne jemi më të mirë se ta”, tha Salianji.