Kosova

Arrestimi i Arsenijeviç-it, Zogaj: Kurti po i fton serbët që të ngritën në mosbindje civile


Momenti i arrestimit të Aleksandar Arsenijeviç

Arrestimi i politikanit serb nga Kosova – kundërshtari i hapur i Listës Serbe – Aleksandar Arsenijeviç, nga Policia e Kosovës, vetëm pse ky fishkëlleu kundër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, të martën, për analistin politik, Petrit Zogaj, është një “thirrje e hapur” nga Qeveria e Kosovës që serbët “të ngritën në një mosbindje civile”.

“Më shumë gjasë ky është qëllimi i kryeministrit Kurti”, ka shkruar ai në platformën sociale, Facebook.

Ndër të tjera Zogaj këtë arrestim të politikanit serb e ka cilësuar si “aksion të turpshëm të Policisë së Kosovës”.

Arsenijeviç, është arrestuar të martën nga Policia e Kosovës në qendër të qytetit të Mitrovicës së Veriut.

Siç raporton “Kossev”, arrestimi i Arsenijeviç-it ka të bëjë me vizitën e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Veri të Kosovës, ku ka marrë pjesë në vendosjen e gurthemelit të një stacioni policor në Leshak të Leposaviqit.

Lajmin për arrestimin e politikanit serb nga Veriu e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

Gjatë arrestimit të Arsenijevç-it, Kurti ka qenë në një restorant që është hapur së fundmi në shëtitoren e Mitrovicës së Veriut.

Fishkëlleu kundër vizitës së Kurtit në Veri, arrestohet politikani serb Arsenijeviç

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore