Forcat izraelite kanë kryer një sulm të synuar në kryeqytetin libanez të Bejrutit, vetëm disa orë pasi Hezbollahu lëshoi mbi 100 raketa në Izrael.
Disa raporte thonë se sulmi i IDF në Bejrut kishte në shënjestër Ibrahim Aqilin, një anëtar i këshillit ushtarak të Hezbollahut.
“Një nga objektivat e sulmit izraelit në Bejrut ishte komandanti i Hezbollahut, Ibrahim Aqil, i kërkuar nga Shtetet e Bashkuara për përfshirjen e tij në bombardimet e ambasadës amerikane dhe kazermave të marinës amerikane në Bejrut në vitin 1983”.
Gazetari Barak Ravid e shkroi këtë në X, duke cituar dy burime izraelite.
Sakaq, pesë fëmijë u vranë nga sulmi.
Ushtria izraelite nuk dha më shumë informacion. Sulmi erdhi pasi Hezbollahu hodhi midis 140 dhe 150 raketa mbi kufirin libanez drejt Izraelit.
Gjatë natës, ushtria izraelite sulmoi të paktën 100 vende të raketave të Hezbollahut në Libanin jugor, ndërsa Bejruti paralajmëroi se konflikti ishte jashtë kontrollit.
Breshëria pasoi një seri sulmesh të dyshuara izraelite në fillim të javës që hodhën në erë radion dhe pajisjet pager të Hezbollahut, duke vrarë 37 njerëz dhe duke plagosur të paktën 3 mijë të tjerë.
Ministri libanez i Ekonomisë Amin Salam tha se java e kaluar kishte qenë “shumë intensive” për Libanin dhe theksoi se përshkallëzimi i konfliktit në orë ishte i mundshëm.