Aro Muriç fenomenal me Ipswich-in

SHFLETO

Aro Muriç

Romario Ismailaj
14.09.2024 20:17
Loading Icons...

Portieri i Kombëtares së Kosovës, Aro Muriç ishte këtë të shtunë në katërkëndëshin e portës së Ipswich-it teksa ekipi i tij përballej në transfertën e Brighton-it. Dhe, paraqitja e tij ishte thjesht fenomenale.

Sipas vlerësimeve të “Sofascore”, Muriçi ishte lojtari i ndeshjes, me notën 9.1 Edhe “Whoscored” kishte një vlerësim të lartë për gardianin dardan, duke i dhënë notën 9.

25-vjeçari bëri gjashtë pritje, katër prej të cilave brenda zonës së rreptësisë. Gjithashtu statistikave të tij i shtohen edhe tre pastrime të rëndësishme, tre grushtime, 58 prekje të topit dhe 54% saktësi pasimesh.

Kujtojmë se Aro vjen pas disa javësh të trazuara. 25-vjeçari bëri dy gabime kundër Manchester City-t para se të përjashtohej në mënyrë kontroverse nga kombëtarja e Kosovës, por performanca e tij kundër skuadrës së Fabian Hurzeler sigurisht që ra në sy dhe ai u prit me mbështetje të plotë në “Amex Stadium”.

“Unë mendoj se ai tregoi saktësisht pse ne donim ta sillnim atë në klub”, argumentoi McKenna. “Me vendin ku jemi si ekip që hyjmë në këtë divizion, gjetja e një portieri që mund të të fitojë pikë në ditë të caktuara është absolutisht e rëndësishme, sepse çdo pikë është e rëndësishme në ligë”.

“Aro ka treguar gjatë karrierës së tij se mund të jetë një portier fitues i ndeshjeve dhe mund të fitojë pikë për ekipin. Ai është një pritës ​​fantastik dhe komandon zonën e tij si jo shumë portierë në divizion”.

“Është një ditë e mrekullueshme për të dhe integrimin e tij në ekip. Ai është ende shumë i ri për një portier, ai ende po mëson dhe po përshtatet me atë që duam prej tij, por mendoj se sot është një hap i madh përpara. Ai u tregoi të gjithëve pse e sollëm në klub dhe çfarë mund të sjellë për ne”, theksoi trajneri i tij.