Kosova

ARKEP: Operimi i Postës së Serbisë synohej të zgjidhej në dialog, por deri sot s’ka pasur iniciativë për fillimin e bisedimeve


Foto: Radio Evropa e Lirë

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), nëpërmjet një komunikate për shtyp, ka njoftuar se çështja e operimit ilegal të postës serbe në Kosovë është tentuar të zgjidhet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por për shkak të kundërshtimit të palës serbe, kjo çështje nuk është adresuar asnjëherë.

Reagimi i ARKEP-it vjen pas aksionit të Policisë së Kosovës në objektet e postës serbe në katër komunat veriore të vendit, që ka rezultuar në mbylljen e nëntë objekteve të Postës së Serbisë në Kosovë. ARKEP ka shtuar se subjekti në fjalë nuk është i regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK), pra nuk posedon certifikatë biznesi dhe numër fiskal.

“Pra, meqenëse është lënë që kjo çështje të diskutohet në një fazë të mëvonshme, deri më sot nuk ka pasur iniciativë për fillimin e bisedimeve për zgjidhjen e kësaj çështje, apo edhe ndonjë veprim konkret për ndalimin e operimit të postës serbe. Për më tepër, ky subjekt nuk figuron në ARBK, pra rrjedhimisht nuk posedon certifikatë biznesi dhe numër fiskal”.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë të hënën se aksioni policor ka nisur pas informatës së pranuar nga ARKEP-i se në territorin e Kosovës, përkatësisht në katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok – janë duke operuar operatorë ilegalë ekonomikë pa licencë dhe pa dokument të ARBK-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore