Kosova

Aplikimi i Kosovës në KiE, Cramon: Shtetet mos-njohëse ose s’votojnë ose votojnë kundër


Viola von Cramon

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, u cilësua si hapi më i rëndësishëm i Qeverisë së Kosovës, gjegjësisht Ministrisë së Punëve të Jashtme gjatë vitit 2022 në raport me Politikën e Jashtme.

Aplikimi për anëtarësim në këtë organizatë ndërkombëtare erdhi në dritën e agresionit Rus në Ukrainë.

Prandaj shumë nga njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare argumentonin se anëtarësimi i Kosovës në KiE nuk ka qenë kurrë më i mundur sesa pas suspendimit të Rusisë nga ky mekanizëm i cili ekskluzivisht merret me të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë.

Shumica e të intervistuarve nga Albanian Post, përfshirë edhe hulumtuesin e politikave të zgjerimit të BE-së, Kristof Bender, nënvizonin faktin se shanset që Kosova të jetë pjesë e këtij organizmi ndërshtetëror janë mjaftë të mëdha, meqë Kosova posedon shumicën absolute të votave.

Si çështje problematike, gjithë në këtë mes, u artikulua qëndrimi i pesë shteteve të Bashkimit Evropian të cilët refuzojnë ta njohin shtetësinë e Kosovës.

Prandaj, raportuesja për Kosovën Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, përmes një postimi në rrjetin e saj social në Twitter, ka komentuar mbi gjasat që përfaqësuesit e shteteve mosnjohëse të sovranitetit të Kosovës të votojnë për pranimin e Kosovës në Këshillin Evropës.

Nga ajo që ka dëgjuar, Cramon thotë se shtetet mos-njohëse ose nuk do të marrin pjesë në votim ose në rastin më të keq do të votojnë kundër.

“Shumë prej tyre në Asamblenë Parlamentare të Këshillit Evropian, ka shumë të ngjarë që të mos marrin pjesë në votim ose në rastin më të keq të votojnë kundër. Kjo është të paktën ajo që kam dëgjuar”, ka shkruar Cramon në rrejtin e saj social në Twitter.

Procedurat e pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Këshilli i Evropës është organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë. Ky institucion mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në shtetet anëtare.

Këshilli i Evropës është organ krejtësisht e ndarë nga Bashkimi Evropian.

Këshilli nuk kontrollohet nga BE-ja.

Sipas procedurës, aplikacionin e një shteti fillimisht e shqyrton Komiteti i Ministrave dhe pas shqyrtimit, fjalën përfundimtare e ka Asambleja Parlamentare.

Kjo Asamble përbëhet nga përfaqësuesit e shteteve anëtare.

Pranimi bëhet me votat e 2/3 të shumicës. Këshilli i Evropës ka 47 anëtarë.

Çdo anëtar i Këshillit të Evropës duhet të pranojë parimet e sundimit të ligjit dhe zbatimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut për të gjithë personat brenda juridiksionit të atij shteti.

Intervistë me Andrew Forde, ish-punonjës në KiE: A ka ngecur procesi i anëtarësimit të Kosovës?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore