Shqipëria

Apeli i GJKKO lë në fuqi sekuestrot e pasurive për anëtarët e grupit Çopja


Apeli i Gjykatës së Posaçme GJKKO ka lënë në fuqi sekuestrot e pasurive për anëtarët e grupit Çopja.

Bëhet fjalë për pasuritë e të dyshuarve Arben Lamçja, Arjon Ormenaj, Klajdi Merkaj, Manjola Hysenaj, të shoqërive “Elba Beton”, “Hotel Demis”  dhe personave të tjerë nën hetim.

Më parë, pasuritë e tyre ishin vënë në masën e sekuestros nga GJKKO e shkallës së parë, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme SPAK, teksa të dyshuarit nuk kishin ushtruar të drejtën e ankimit.

Sekuestrot u vendosën pas operacionit të SPAK më 31 korrik, ku u kërkua arrestimi o 33 personave, por që u arrestuan vetëm 11.

Kurse për dy të tjerë u komunikua akuza në burg, pasi janë arrestuar më herët për vepra të tjera penale.

Ndërkohë po zhvillohen hetime edhe për një dekonspirim të mundshëm të operacionit.

Grupi – ku bënin pjesë vëllezërit Hajdar e Franc Çopja – akuzohet për një sërë atentatesh e vrasjesh, ndërsa ndaj tyre nisi edhe hetimi pasuror.

Franc Çopja u arrestua për llogari të Belgjikës, ndërsa Hajdar Çopja vijon të jetë në kërkim, ku ka të dhëna se ndodhet në Dubai.

Një pjesë e pasurive të organizatës kriminale të drejtuar nga Çopjajt, rezultonin në emër të Arben Lamçes, i arrestuar në Kosovë dhe i ekstraduar së fundmi në Shqipëri, ku akuzohet për sigurim kushtesh për vrasjen e Nuredin Dumanit dhe pastrim parash.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore