Gjykata Speciale

Anulohen të gjitha seancat e marsit ndaj Pjetër Shalës


Pjetër Shala.

Të gjitha seancat në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës për muajin mars janë anuluar.

Lajmin e ka bërë të ditur DhSK-ja përmes njoftimit për media.

“Siç shihet në kalendarin tonë gjyqësor, ju njoftojmë se anulohen seancat në rastin P. Shala, të parapara nga data 4 deri më 15 mars”, thuhet në njoftim.

Edhe seancat për muajin shkurt ndaj Shalës, ishin anuluar ndërsa ,më 23 janar, Shalës i ishte vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj.

“Urdhërohet mbrojtja që të paraqesë parashtresa për shqyrtimin e radhës të paraburgimit të të akuzuarit, nëse dëshiron, jo më vonë se e marta, 12 mars 2024”, thuhej në njoftim.

Shala ishte arrestuar më 16 mars të vitit 2021 nga autoritete belge. Ndërsa transferimi i tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës u bë më 15 prill 2021.

Shala sipas aktakuzës ngarkohet me përgjegjësi penale individuale me forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhej në aktakuzë.

Por, Shala në nisje të gjykimit ndaj tij pati thënë në se akuzat ndaj tij janë “të fabrikuara”.

“Nuk pranoj asgjë, të gjitha janë të fabrikuara”, theksoi Shala.

Gjykata Speciale tashmë e ka shqiptuar dënimin e parë për krime lufte në dhjetor të 2022-ës.

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, ishte dënuar më 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore