Art&dizajn

Annie Leibovitz, jo fotografe e modës, e narrativës


Paçka se Annie Leibovitz nuk e quan veten fotografe mode, libri i saj i ri, “Wonderland”, është një antologji e imazheve të modës të shkrepura kryesisht për “Vogue”.

“Jam rritur duke bërë punë në këtë zhanër, por nuk përputhej me perceptimin tim për veten dhe punën time”, ka rrëfyer ajo për të përditshmen “The New York Times”.

Si studente në Institutin e Artit në San Francisko, Leibovitz u frymëzua nga fotografia e ashpër, spontane, e Robert Frank dhe Henri Cartier-Bresson.

Edhe pse ajo admironte punën e modës të Richard Avedon, Helmut Newton dhe Irving Penn, ajo nuk kishte dëshirë t’i imitonte ata.

“Mendoja se moda ishte marrëzi”, ka pohuar fotografja.

Gazetarja Patricia MorrisroeU e takoi atë te Studio 525 në Chelsea, ku Hauser & Wirth po mbanin një shfaqje pesë-ditore për “Wonderland”, gjatë Javës së Modës në shtator.

Atje, katër ekrane gjigante projektuan një përzgjedhje të punës së Leibovitz, nga shtatzënia e Melania Trump me bikini të arta, te Lady Gaga me Valentino.

Vet Leibovitz ishte e veshur me uniformën e saj tipike me pantallona të zeza dhe këmishën po të ngjashme me to.

“Jam thjesht një krijesë e rehatisë…nuk imagjinoj se dikush po më vështron”, ka thënë ajo.

Për shumicën e njerëzve, “Wonderland” do të jetë ekspozimi i parë ndaj talentit të Leibovitz në fushën e modës. Ajo njihet si ndër fotografet më të mira të portreteve.

Ndërkaq, 341 imazhet e përfshira në libër mbajnë shenjat dalluese të stilit të saj: përdorimi mjeshtëror i ngjyrës, vënia në skenë teatrale, ndërthurja artistike midis dritës artificiale dhe asaj natyrore.

Më të mirat prej tyre i përputhen titullit të librit. Thjesht magjepsëse, të mbështjella me një rrëfim vizual që shfaq dhuntitë e saj si një tregimtare e fuqishme.

Në “Rolling Stone”, ajo ka punuar për 50 si fotoreportere ku kapi disa nga momentet më përcaktuese të epokës.

Kurse në “Vanity Fair”, ajo u bë e njohur për portretet e saj të çuditshme, konceptuale, të emrave të njohur.

Më pas, në vitin 1993, shkrimtarja Susan Sontag, shoqëruese e Leibovitz, e inkurajoi atë të thellonte punën e saj duke dokumentuar konfliktin në Sarajevë.

Por në vitin 1998, kryeredaktorja e “Vogue”, Anna Wintour, i ofroi asaj mundësinë për të punuar për revistën.

Dhe një vit më vonë, u dërgua në Paris gjatë shfaqjeve të modës për të xhiruar një set fotografik me redaktoren e saj të modës, Grace Coddington.

“Ishte si performancë arti. Por nuk mund të isha kurrë një fotografe mode”, ka treguar fotografja duke shpjeguar se e mendon veten si një “artiste konceptuale që përdor fotografinë”.

“The New York Times” tregon se Leibovitz vazhdoi në “Vogue” për 23 vitet e ardhshme, duke krijuar një pjesë të konsiderueshme të punës.

Më pas, erdhi COVID-19 dhe e gjeti veten të karantinuar me tre vajzat e saj në fermën prej 200 hektarësh në Rhinebeck, New York.

Aty është vendi ku mblidhet familja e saj e madhe pasi ajo është një nga gjashtë fëmijët e familjes. Njëherazi edhe vendi ku më së shumti është frymëzuar Sontag.

Në izolim me vajzat e saj për gati një vit, është mirënjohëse për kohën e kaluar së bashku me to.

Dy nga esetë e saj fotografike më fantastike në libër, “Alice in Wonderland” dhe “The Wizard of Oz”, u shkrepën kur vajzat e saj ishin të vogla.

“Asokohe po lexoja përralla me zana për to, kështu që me të vërtetë jetoja në atë botë”, ka treguar ajo.

Si një studiuese e pasionuar që e do historinë, Leibovitz tërhiqet nga esetë narrative sepse ato i japin asaj diçka për t’u fokusuar.

Leibovitz është ndjerë shumë më rehat kur ka diskutuar për portretet e librit, mirëpo duke marrë parasysh se punon për “Vogue”, ajo duhet t’i kujtojë vetes se edhe portretet kanë nevojë për një element mode.

“Përpiqem ta minimizoj atë sa më shumë që të mundem. Jam plotësisht në anën e temës”, ka shpjeguar ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore