Shuhet mjeshtri i cirkut Tahir Baçova në moshën 88-vjeçare

SHFLETO
Sadiola Xhelili
03.09.2024 9:18
Loading Icons...

Krijuesi i profilit të kafshëve në historinë e cirkut shqiptar, Tahir Baçova, ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare.

Artisti unikal e filloi karrierën artistike që në moshën 17 vjeçare deri 65 vjeç, edhe pse doli në pension ai kurrë nuk u nda nga pasioni i tij, nga bota zbutjes së kafshëve e për ta kthyer atë në art, për të argëtuar të madh e të vogël jo vetëm në Tiranë por në të gjithë Shqipërinë.

Fillimisht u aktivizua pranë Cirkut Amator e më pas si Profesionist në Cirkun e Tiranës sot Cirku Kombëtar.

Numri i parë me kafshë, me një qen do të shënohet në vitin 1960 në premierën “Variete-Cirk-Variete” nga artisti  Akrobati Tahir Baçova.

Baçova mbetet bazamenti dhe promotori i profilit të kafshëve në Cirkun Shqiptar, bashkë me bashkëshorten e tij znj. Sanie Baçova, e para dhe e vetmja artiste grua në profilin e zbutësit të kafshëve në Cirkun Shqiptar.

Me punën e tij të palodhur e me pasion e bëri të pamundurën të mundur, i ktheu kafshët në artist në ndërveprim me akrobatët e cirkut por dhe me publikun.

A ka kënaqësi më të madhe të shohësh pëllumbat në arenë të fluturojnë dhe të kthehen përsëri te vendi i nisjes, dhinë të bindet dhe të luaj, gomarin të merret me aritmetikë, qenin të gjejë objektin dhe të kërkojë duartrokitje, apo ariun Silva si sportist duke bërë kosha dhe me pantomimën e gjuetarit dhe me numrat “Ecje me biçikletë”, “Kapërdime me rreth”, “Vertikale mbi shishe”, “Ekuilibër mbi glob”, “Ariu basketbollist”, “Ariu fotograf”, “Ariu vertikalist dhe ekuilibrist”, “Arinjtë në lisharse”.

Nurma të tjerë  Pëllumbat, Gomari, Dhia, numrat me qen “Brezi i kalitjes”, “Klasa e qenëve”, “Futbolli i qenëve, “Loja me kutia”, “Pastrimi”, “Kërcimi me litar”, “Bindja e Rozës”, “Gjetja e numrave”, do të mbahen mend gjatë nga publiku artdashës i Cirkut Kombëtar.

Artisti i Merituar Tahir Baçova prej më shumë se 40 vite ja kushtoi jetën dhe pasionin e tij punës me kafshë, i palodhur këmbëngulës me dëshirën për të dhuruar art.