Dita Botërore e Fotografisë, çelet ekspozita “Vëllezërit Kodheli dhe Kolë Idromeno”

SHFLETO
Sadiola Xhelili
19.08.2024 20:21
Loading Icons...

Dita Botërore e Fotografisë festohet çdo vit më 19 gusht, me synimin për të bërë homazhe për fotografët që kontribuuan në fushën e fotografisë, dhe për të inkurajuar njerëzit që të merren me artin, sipas “The Economic Times”.

Po ashtu fotografët bëjnë homazhe për pionierët e këtij arti që i frymëzuan ata të merren me fotografinë.

Francezët, Louis Daguerre dhe Joseph Nicephore Niepce zhvilluan procesin e parë fotografik në vitin 1837 që u quajt “Daguerreotype”.

Muzeu “Marubi”, si çdo vit më datë 19 gusht, feston celebrimin e artit të fotografisë përmes organizimit të ngjarjeve të ndryshme në Ditën Botërore të Fotografisë.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur se këtë vitit celebrimit të kësaj date i paraprin hapja e ekspozitës “Vëllezërit Kodheli dhe Kolë Idromeno”.

Ekspozita është hapur këtë 19 gusht në orën 19:00.

Në historinë e fotografisë shqiptare përmendet fototeka “Marubi” në Shkodër, e cila përfshin fotografi të vjetra mbi 150 vjet, e të cilat ruhen ende edhe sot.

Drejtori i Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, e njëkohësisht kuratori i ekspozitës, Luçjan Bedeni, ka bërë me dije se prej disa vitesh ka bërë kërkime për Marubët dhe Idromenon.

“Gjatë hulumtimit të fundit në fototekën e Institutit të Antoropogjisë ku ruhen disa negativë me vlerë të Idromenos, kam arritur në konkluzionin se shkrepjet e tij mund të plotësohen me më shumë të dhëna. Kjo për fatin e mirë të ekzistencës të koleksionit të Marubëve, i cili i vjen shumë në ndihmë”, ka thënë Bedeni.

Imazhet e burrit të përzgjedhur për posterin e ekspozitës “Vëllezërit Kodheli dhe Kolë Idromeno” janë një dëshmi konkrete se si arkivët fotografik komunikojnë mes tyre.

Fotografia e burrit me brirë, e cila ruhet në fototekën e Muzeut Marubi rezulton të jetë shkrepje e Kel Kodhelit (Marubi).

Teksa imazhi i ngjashëm me të, fotografia e burrit me fes, që ruhet në Institutin e Antropologjisë rezulton të jetë shkrepje e Idromenos.

Por cila është autorësia e saktë?

Bedeni mendon se është Kolë Idromeno, kjo pasi fotografia e shkrepur nga Kel Kodheli (Marubi) është një foto e retushuar por edhe e riprodhuar.

Duke ditur që Idromeno ishte edhe një piktor i zoti, mendohet se e ka bërë ai retushimin e brirëve të personit dhe Keli riprodhimin e fotos së retushuar.