Sport

Ancelotti: Benzema dhe Bale do të luajnë në derbi


Real Madrid-i dhe Atletico Madrid-i luajnë derbin e parë të sezonit të dielën në “Santiago Bernabeu”.

Mbretërorët po kalojnë një formë shumë të mirë, dhe vijnë në këtë ndeshje pas nëntë fitoreve radhazi.

Në anën tjetër, Atletico nuk po kalon një formë farë të mirë, dhe një humbje në ndeshjen e nesërme, praktikisht do t’i nxirrte ata përfundimisht nga gara për titull.

Madrilenët janë dhjetë pikë më përpara, dhe një diferencë me 13 pikë do të ishte thuajse e pamundur për t’u kthyer.

Dhe, në tentativë për fitoren, madrilenët do të marrin ndihmë të madhe nga dy futbollistë që ishin jashtë për shkak të lëndimit.

Bëhet fjalë për Karim Benzema dhe Gareth Bale, që nesër do të jenë në dispozicion të Ancelotti-t.

“Ai është stërvitur mirë, po ndihet mirë, do të jetë i gatshëm dhe do të luajë”, tha Ancelotti për Benzema-n.

“Përveç Ceballos që do të kthehet javën e ardhshme, të gjithë janë të gatshëm dhe në gjendje të mirë”, u shpreh italiani.

Sa i përket Gareth Bale, ai u shpreh që “ai është 100 për qind i gatshëm, 100 për qind i motivuar, do të shohim nesër nëse ai fillon nga stoli ose e nis nga fillimi”.

Sa i përket Hazard-it, ai thotë se “është shumë e vështirë që ta lë Hazard-in në bankën rezervë” dhe se do të mundohet “që ta inkuadrojë ngadalë në skuadër” belgun.

Kjo është ecuria më e mirë që Real Madrid-i po kalon në pesë vitet e fundit, me 12 ndeshje pa humbje, ku kanë 11 fitore dhe vetëm një barazim.

Ancelotti dhe skuadra e tij kërkojnë që konfirmimin e vërtetë ta kenë në derbi nesër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore