Momente

Alonso pret shumë nga Xhaka: Është lider në fushë


Xabi Alonso dhe Granit Xhaka

Trajneri i Bayer Leverkusenit, Xabi Alonso, e ka krahasuar me veten kur ishte lojtar aktiv futbollistin shqiptar Granit Xhaka që u transferua te ky klub nga Arsenali.

“Unë mund të shoh në sytë e tij se ai gjithmonë dëshiron të mësojë – kështu ishte edhe për mua në fazën e fundit të karrierës sime”, tha Alonso në një intervistë për gazetën gjermane Bild.

Alonso ka theksuar se Xhaka është lojtar fantastik dhe një lider në fushë, derisa ka shtuar se “do të jetë ndihmë e madhe për ekipin tonë në edicionin e ri”.

“Sigurisht, që të gjithë presim shumë nga ai duke pasur parasysh përvojën dhe paraqitjet që i kishte me fanellën e Arsenalit”, shtoi ai.

Alonso ka pranuar se Xhakën e sheh në të ardhmen si një trajner të suksesshëm.

“Mund ta shoh në sytë e tij se ai gjithmonë dëshiron të mësoj. E kjo me ka ndodhur saktësisht mua në fazën e fundit të karrierës sime si lojtar aktiv. Ai dëshiron të bëhet trajner dhe kjo shihet haptazi. Besoj se do të jetë një trajner i madh”, ka shtuar spanjolli.

Ndërsa Xhaka ka treguar se ka kohë që ka filluar t’i ndjekë kurset për trajner dhe të pajiset me licencat e duhura që pasi të përshëndetet nga loja aktive, të filloj një kapitull të ri në jetën e tij.

“Jam më se i lumtur që kam mundësinë ta bëj këtë. Kam pasur shumë trajnerë të ndryshëm, duke përfshirë edhe ekipin kombëtar, nga të cilët kam mësuar shumë. Sigurisht që dua të luaj lojën time dhe të mësoj. diçka nga çdo trajner. Unë jam shumë i lumtur që mund të bëj hapin tjetër me licencën A”, ka thënë Xhaka.

Por, për momentin ai ende dëshiron të jetë në fushë për klubin e tij të ri Bayer Leverkusen.

Ai u transferua nga Arsenali për 20 milionë euro dhe me ekipin gjerman firmosi kontratë deri në vitin 2028.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore