Kosova

Albin Filikaqa


Ilustrim

Filikaqen e kishte si mjet sa herë që dëshironte të kundërshtonte diçka, nëpërmjet saj ai tentonte ta gravitonte vëmendjen e publikut në një proces, në vlerësimin e të cilit, ishte i dëmshëm për vendin.

Është ky Albin Kurti, i cili sot udhëheq një vend që arreston një politikan serb nga Kosova – një kundërshtar i hapur i Listës Serbe – vetëm pse ai fishkëlleu me filikaqe për të kundërshtuar praninë e tij në Mitrovicë të Veriut dhe rrjedhimisht politikat e tij në raport me komunat e banuara me shumicë serbe.

Aleksandar Arsenijeviç, s’e pengoi as lëvizjen e Kurtit as nuk e sulmoi atë, por në mënyrë paqësore shprehu bindjet e tij.

Megjithatë ai u arrestua të martën me arsyetimin se prishi rendin dhe qetësinë publike, për t’u liruar më pas, ndonëse neni 8 i Ligjit për Rendin dhe Qetësinë Publike s’e mbështet arrestimin e tij.

“Kushdo që shkakton zhurmë të pa nevojshme dhe të padurueshme që dëgjohet te banorët për rreth apo në rrugë dhe që shqetësojnë personat tjerë nga ora 22:00 e deri në orën 07:00 gjatë ditëve të javës dhe prej orës 23:00 e deri ne orën 07:00 të shtunave dhe të dielave, dënohet për kundërvajtje”, thotë neni i titulluar Bezdisjet Publike – Shkeljet që kanë të bëjnë me zhurmën.

I pyetur se a do të kërkojë llogari nga Policia e Kosovës për këtë rast, Kurti refuzoi të përgjigjet, por vetëm tha se kush ka vërejtje ndaj Policisë të ankohet tek Inspektorati.

Me këtë ai e konfirmoi se filikaqa tashmë është një relikt për të – diçka e së kaluarës që s’bën të përdoret kundër tij.

Ky ndalim i politikanit serb për shkak të protestës civile e paqësore u kritikua gjerësisht në Kosovë.

Analisti politik, Petrit Zogaj, vlerësoi se arrestimi i tij është një “thirrje e hapur” nga Qeveria e Kosovës që serbët “të ngritën në një mosbindje civile”.

“Më shumë gjasë ky është qëllimi i kryeministrit Kurti”, shkroi ai në platformën sociale, Facebook.

Në anën tjetër publicisti dhe komentatori politik, Halil Matoshi, nëpërmjet një kolazhi fotografik, krahasoi arrestimin që i ishte bërë Albin Kurtit më 1 tetor të vitit 1997 në protestën e studentëve kundër regjimit të Slobodan Millosheviç-it me arrestimin e Arsenijeviç-it, të martën nga Policia e Kosovës në Mitrovicë të Veriut.

“Çdo ngjashmëni me persona konkretë âsht e qëllimshme! – Prishtinë, 1997 –  Mitrovicë, 2024”, shkroi ai në platformën sociale, Facebook.

Ndërkaq ish-ambasadori Lulzim Peci, tha se me këtë akt, Policia e Kosovës e ka privuar nga liria një qytetar që ka protestuar në mënyrë jo të dhunshme.

Drejtori i KIPRED-it kritikoi edhe shoqërinë civile dhe partitë opozitare për heshtje në këtë rast të, siç e ka quajtur ai, shkeljes së të drejtave të njeriut.

E gjithë kjo situatë ngjau në ditën kur presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, takoi të deleguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Pas takimit nëpërmjet një postimi në platformën sociale, X, diplomati sllovak, bëri ditur se Vuçiç gjatë takimit “ka ngritur shqetësime të forta për situatën e komunitetit serb në Kosovë”.

Në anën tjetër gjatë takimit, siç u tha në një komunikatë për media, Vuçiç, paralajmëroi “masa serioze” së shpejti.

“Ne do t’ju drejtohemi me masa serioze në 72 orët e ardhshme. Serbia është gjithmonë pro dialogut, unë jam gjithmonë i gatshëm për dialog, por Serbia nuk do të lejojë persekutimin dhe pogromin e popullit serb”, shkroi presidenti serb në platformën sociale, Facebook menjëherë pas takimit me diplomatin sllovak.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore