Kosova

“ALBAS” mohon lidhjet me Nagavcin për tenderat e librave


Foto: Albanian Post.

Komisioni Hetimor Parlamentar sërish është mbledhur për dyshimet lidhur me keqpërdorimin e subvencioneve të teksteve shkollore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe arsimit të mesëm të ulët për 2023/2024 për të intervistuar përfaqësuesin e shtëpisë botuese “Albas”, Fatlum Hetemi – për të cilën u raportua se pas ardhjes në pushtet të Lëvizjes Vetëvendosje kishte fituar vazhdimisht tenderë.

Hetemi në komision deklaroi se çmimet kanë qenë reale, pavarësisht rrethanve që kanë ndryshuar.

“Ne pasi e kemi nënshkruar kontratën, na e kane caktuar një lokacion, e ne prani të një zyrtari te ministrisë i kemi dorëzuar. Ne mendojmë qe çmimet janë shume reale. Duhet ta kemi te qarte se prej vitit 2020 e këndej kane ndryshuar rrethanat, rritja e çmimit të letrës, qiratë, pagesa e punëtoreve, gjithçka çka neve na mundëson me jetuar”, ka thënë ai në komision.

Sipas tij, ishte pandemia ajo që detyroi shtëpinë botuese që të rrit çmimet.

“Nuk kemi shume dallime në çmime. Kam qenë prezent në procesin e negocimit, në vitin 2023/2024. Ne kur ti dorëzojmë përmasat i dorëzojmë ne cilësimin teknik, kështu qe sipas te gjitha standardeve mundohemi te kemi një cilësi te mire”.

“Ne 7 qytete nuk ka pasur, po ne e kemi gjete mënyrën tonë për me i furnizua me libra. Ne shtypshkronjën ne Shqipëri themeluesit tanë janë aksionar”.

Pas këtyre deklaratave deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ardian Kastrati, ka lexuar disa artikuj në media për lidhjen e Nagavcit që kishte me shtëpinë botesue “Albas”.

“Mediat i kanë ngrit dyshimet para meje, për lidhjen e juaj me Nagavcin për dyshime për afera korruptive?”.

Ndër të tjera ka shtuar se “çfarë favore iu ka kërkuar Nagavci dhe çfarë ia keni kërkuar ju asaj?”.

Megjithë insistimin e Kastratit, Hetemi refuzoi të përgjigjet në pyetjen e deputetit.

“Aventurat” e Nagavcit me Shtëpinë Botuese ALBAS: Bashkëpunëtorët e ministres – ata i botojnë libra, ajo iu jep tenderë

“Aventurat tona të verës – pushimet magjike”, ka titullin një libër për fëmijë që Arbërie Nagavci e ka shkruar bashkë me motrën e saj Krenare Lleshi dhe një autore tjetër Alida Thaçi.

Ky është vetëm një nga pesë librat që Arbërie Nagavci ka shkruar për këtë shtëpi botuese, e cila pas ardhjes së Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet ka fituar tenderë vazhdimisht nga Ministria e Arsimit dhe aktualisht parashihet se ka kapur rreth 30 për qind të tregut të përgjithshëm në Kosovë.

Nagavci e ka të deklaruar edhe në formularin e deklarimit të pasurisë se ka pranuar para nga Shtëpia Botuese ALBAS, por aty nuk e tregon shumën.

“Autorësia e pesë librave (ALBAS)”, shkruan në të dhënat e pasurisë Nagavci, pa u specifikuar shumë e pranuar.

E njëjta Shtëpi Botuese, vitin e kaluar, kishte fituar të drejtën për të ndarë librat për shkollat në Luginë të Preshevës.

Sipas shtëpisë botuese ALBAS, ata kanë shpërndarë 221 mijë e 314 euro libra.

Për librat shqip kërkonin 159 mijë e 965 euro, kurse për ato në gjuhën angleze 61 mijë e 384 euro.

Me kërkesë të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Preshevë, MASHT-i ekzekutoi këto shuma në xhirollogari të bashkë-punëtorëve të Nagavcit.

Nuk është e qartë se a ka pasur procedura të prokurimit dhe si është zgjedhur shtëpia botuese ALBAS për të marrë rolin e shpërndarësit të librave në Preshevë.

Tradita nuk ndryshoi as në vitin 2023.

Është pikërisht ALBAS, që me vendim qeveritar do të marrë plotë 254 mijë e 562 euro e 30 centë, për pajisjet me tekstet shkollore gjatë vitit 2023.

Prapë, nuk është e qartë përse ishte vendosur që të angazhohet e njëjta shtëpi botuese për shpërndarje të librave.

Sipas njohësve të librave shkollorë, ALBAS ka çmimet më të larta në treg krahasuar me shtëpitë të tjera botuese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore