Kosova

Aksidenti zinxhiror mes 14 automjeteve, shtatë nga tetë të lënduar lirohen për në shtëpi nga QKUK-ja


QKUK, foto nga arkivi.

Tetë persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Klinikën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pas aksidentit me 14 vetura që ndodhi në mëngjesin e së hënës.

Shtatë nga tetë të lënduarit tashmë janë liruar për në shtëpi.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar nga zëdhënësi i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, Shpend Fazliu.

“SHSKUK ju konfirmon se tetë persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore ne Klinikën Emergjente, pas aksidentit në komunikacion, i ndodhur në Autostradë. 7 nga ta janë liruar në shtëpi, pas trajtimit mjekësor, 1 ende ndodhet në klinikën emergjente, jashtë rrezikut, me lëndime trupore”, tha Fazliu për AP.

14 automjete janë përfshirë në një aksident zinxhiror që ka ndodhur mëngjesin e së hënës në autostradën Fushë Kosovë.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha.

“Rreth orës 06:50 në autostradën Ibrahim Rugova, Mazgit-Bresje mbi urë te ETC-ja sipas informatave fillestare është shkaktuar një aksident trafiku zinxhiror ku janë të përfshira 14 automjete dhe si pasojë e aksidentit raportohet edhe për persona të lënduar”, ka thënë ai.

Hoxha, ka shtuar se rruga është bllokuar përderisa njësitet policore dhe ekipet emergjente kanë reaguar në vendin e ngjarjes për t’u marrë me rastin.

“Kjo rrugë është bllokuar përkohësisht, përderisa njësitet policore ekipet emergjente kanë reaguar në vendin e ngjarjes për t’u marr me rastin dhe trajtimin e personave të lënduar”.

Ai ka theksuar se për detaje të tjera do të njoftoheni pas raportimeve që do marrim nga ekipet në terën.

Policia, ka apeluar për kujdes gjatë vozitjes në këtë kohë me ngrica dhe mjegull për të shmangur rastet e tilla.

“Përdorni dritat e mjegullës, nëse automjeti juaj i ka këto drita kjo ju ndihmon të ndriçohet rruga para jush dhe këto drita e bëjnë automjetin tuaj më të dukshëm për shoferët e tjerë. Mjegulla mund të krijojë një iluzion dhe t’i bëjë shoferët të mendojnë se po shkojnë më ngadalë seç janë, mbani vëmendjen, mos shpejtoni”.

Nga policia është sqaruar se ngasja e automjetit me drita të gjata mund të reflektojë jashtë mjegullës dhe mund të kthehet në automjetin tuaj, e cila gjithashtu e bën të pamundur që shoferët e tjerë të ju shohin.

Duke kërkuar që të mbahet nën kontroll shpejtësia e lëvizjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore