Kosova

Ahmeti harron kushtin e Asociacionit e Manastirit: Kosova një hap më pranë anëtarësimit në KiE


Ndonëse Jorn Rohde e Viola von Cramon potencuan se Kosova nuk do të mund të anëtarësohet në Këshillin e Evropës pa zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, zëvendëskryeministri i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, Kreshnik Ahmeti, është shprehur i bindur se Kosova është një hap më pranë anëtarësimit në këtë organizatë ndërkombëtare.

Konstatimi i Ahmetit vije pas vizitës së kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcës dhe delegacionit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku sipas zëvendëskryeministrit “u kuptua që hapat e menjëhershëm të ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës pas publikimit të raportit të Juristëve Eminent, kanë reflektuar pozitivisht në përparimin e procesit të anëtarësimit”.

“Shqyrtimi dhe adresimi i rekomandimeve të Juristëve Eminent nga Grupi Koordinues për Anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës; miratimi nga Qeveria i Strategjisë për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Komuniteteve dhe Anëtarëve të tyre; miratimi nga Qeveria i Kornizës së Indikatorëve për të Drejtat e Njeriut, që për referencë ka standardet e Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian; gatishmëria e Kryeministrit për takime të shpeshta dhe të rregullta me përfaqësuesit e komuniteteve etnike; nga ana e raportueseve dhe Komiteteve përkatëse janë shënuar si përparime të shpejta dhe serioze”, ka potencuar Ahmeti pa specifikuar fare se në raportin të cilën i referohet ai përveç respektimit të vendimit të Kushtetueses për Manastirin e Deçanit ishte kërkuar edhe zbatimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Jorn Rohde, Tomas Szuynog e Viola von Cramon së fundmi kanë ri-amplifikuar domosdoshmërinë e zbatimit të vendimit në fjalë ndërsa kanë kërkuar që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë hapa imediate në këtë drejtim.

I pari i cili kërkoi nga ekzekutivi kosovar të procedoj me çështjen e Manastirit të Deçanit ishte ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Në të kundërtën, sipas tij, rruga e Kosovës drejtë anëtarësimit në Këshillin e Evropës rrezikohet.

Thënë kjo, Rohde qartësisht potencoi se Kosova nuk mund të jetë anëtare e Këshillit të Evropës pa e zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.

Sipas tij vendimet e Gjykatës Kushtetuese zbatohen në çdo vend, posaçërisht kur në pyetje janë pakicat ose të drejtat fetare.

“Nganjëherë duhet kohë për të bërë gjënë e duhur, por unë nuk e shoh kandidimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës të jetë i suksesshëm nëse kjo çështje nuk zgjidhet. Shpejt do të ketë një diskutim rreth tij dhe rekomandime do të bëhen se çfarë duhet të bëhet para votimit të pranimit dhe kjo çështje do të jetë në mesin e atyre rekomandimeve”, tha Rohde në një intervistë për mediumi serb me seli në Kosovë, Kosovo Online.

Të njëjtin konstatim pati edhe raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, e cila  shprehu rezerva për anëtarësim potencial të Kosovës në Këshillin e Evropës në të ardhmen e afërt.

Eurodeputetja gjermane, duke folur në një emision me emrin “Slobodno srpski”, deklaroi se Kosova vështirë se mund të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, sidomos për shkak të mos-zbatimit të vendimit për Manastirin e Deçanit dhe deklarimet publike të liderëve kosovarë se nuk do të ecin tutje me këtë vendim.

“Mungesa e vullnetit politik për të ecur përpara me të, madje edhe kundërshtimi i anëtarëve të Këshillit të Evropës duke u thënë se kjo qeveri nuk do ta bëjë, nuk ua lehtëson anëtarëve të Këshillit të Evropës që të ecin përpara me aplikimin”, kishte thënë Von Cramon.

“Ky është vetëm një rast, por që nuk duhet nënvlerësuar, sepse liria e besimit dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese merren shumë seriozisht nga Këshilli i Evropës”.

“Misioni faktmbledhës i KiE-së”, juristët ndërkombëtarë javën tjetër në Kosovë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore