Kosova

“Misioni faktmbledhës i KiE-së”, juristët ndërkombëtarë javën tjetër në Kosovë


Më 26 shtator Kosova do të vizitohet nga juristët eminentë Spiliopolou Akermark dhe Thomas Markert në kuadër të procedurës për shqyrtimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Kështu thuhet në një ftesë për takim që iu është dërguar deputetëve të Kosovës nga KiE të cilën e posedon Albanian Post.

“Avokatët eminentë do të udhëtojnë për në Prishtinë në një mision faktmbledhës në fund të shtatorit. Si pjesë e këtij misioni, avokatët eminentë dëshirojnë të takojnë bashkërisht përfaqësuesit e grupeve partiake të përfaqësuara të Kuvendit”, thuhet në ftesë.

Akermakr dhe Markert gjatë qëndrimit në Prishtinë do të përgatisin një raport vlerësimi për Kosovën dhe pastaj do vije në Kosovë për vizitë Dora Bakoyannis raportuese për anëtarësimin e Kosovës në KiE.

Ndryshe më 24 prill zyrtarisht Komiteti Ministror i këtij organizmi ndërkombëtar në një mbledhje të jashtëzakonshme me më shumë se 2/3 e votave procedojë tutje aplikimin e Kosovës në Asamblesë Parlamentare.

Nga gjithsej 46 shtete sa votuan në Komitetin Ministror të Këshillit të Evropës për të marrë vendimin që t’ia përcjellin Asamblesë Parlamentare kërkesën për anëtarësim të Kosovës, 33 shtetet, duke përfshirë edhe shtetet e rajonit si Shqipëria, Mali i Zi, Sllovenia, Maqedonia e Veriut dhe Kroacia kanë votuar pro, derisa 12 të tjera kundër apo abstenim.

Sipas të dhënave që janë bërë publike Hungaria, Rumania, Qiproja, Spanja, Azerbajxhani, Gjeorgjia dhe Serbia votuan kundër, kurse Bosnja dhe Hercegovina, Greqia, Sllovakia, Moldavia dhe Ukraina abstenuan.

Rrugëtimi i Kosovës drejt anëtarësimit tani do të kalojë përmes Asamblesë Parlamentare të KiE.

Gjithsesi, deri atje ka shumë punë dhe mund të marrë shumë kohë. Para se të vije momenti i votimit në KiE, caktohen ekspertë për të përgatitur raportin për Kosovën.

Më pas raporti shqyrtohet nga dy komitetet të tjera. Dhe në fund votohet nga Asambleja Parlamentare.

Nëse Asambleja voton pozitivisht, atëherë Kosova bëhet shtet anëtar. Më shumë sesa proces teknik i përgatitjes, anëtarësimi në KiE është çështje e vullnetit politik të shteteve anëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore