Kosova

Agjencia për Informim dhe Privatësi ka pranuar mbi 100 ankesa për qasjen në dokumente


Ilustrim.

Agjencia për Informim dhe Privatësi, ka pranuar 43 ankesa në raport me mbrojtjen e të dhënave personale dhe 147 ankesa të tjera në raport me qasjen në dokumentet publike.

Agjenci kjo e cila ka arritur që rreth 80 për qind nga këto ankesa të marrë vendime përfundimtare.

Kështu ka bërë të ditur komisionerja për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva-Demaku, me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Privatësisë.

“Për sa i përket numrit të rasteve që Agjencia deri më tani ka trajtuar në kuadër të autorizimeve të veta ligjore, deri më sot kjo agjenci ka pranuar gjithsej 43 ankesa në raport me mbrojtje e të dhënave personale, ndërsa numri i ankesave që agjencia ka në raport me qasjen në dokumentet publike është shumë më i madh”.

Agjencia për Informim dhe Privatësi.

“Nëse e përfshijmë edhe numrin e ankesave të parashtruara për vitin 2022 është 147 ankesa, që 80 për qind prej tyre tashmë janë të mbyllura me vendime përfundimtare”, tha Sogojeva.

Sogojeva-Demaku, u shpreh se kjo ditë ndërkombëtare e gjen Kosovën me një agjenci funksionale për qasje dhe mbrojtje të të dhënave personale.

Po ashtu, zyrtarë të Këshillit të Evropës në Kosovë, kanë kërkuar nga autoritetet kosovare zbatimin e legjislacionit në fuqi për të garantuar të drejtën e të mbrojtës së të dhënave private.

Shefi i Këshillit të Evropës në Kosovë, Frank Power, ka thënë se është me rëndësi që të ruhen të drejtat personale të secilit dhe të mos ndahen informatat e ndjeshme.

“Sot në shënimin e kësaj Dite në Kosovë të gjithë partnerët, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe të mediave mirëpresin faktin që Kosova ka një kornizë legjislative dhe kushtetuese për me garantuar të drejtën e mbrojtës së të dhënave private dhe për të gjitha masat ndëshkuese e shoqëruese”.

Ai shtoi se, “si e tillë duhet zbatuar ky legjislacion. Është me rëndësi po ashtu që të gjithë të jemi të vetëdijshëm, edhe për të drejtat tona, por edhe për pasojat nëse i ndajmë informatat e tilla të ndjeshme. Kështu që Agjencia ka një rol të rëndësishëm për ngritë vetëdijen e qytetarëve për këtë çështje”.

Albanian Post, më herët ka publikuar një video story rreth sulmeve kibernetike.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore