Kosova

Abdixhiku, Kurtit: Marrëzi ta kalosh një mandat duke bërë përçarje


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se është “marrëzi” të kalosh një mandat duke bërë përçarje e ndarje kur në Kosovë ka aq shumë punë për të bërë e nevoja për t’i përfunduar ato është e madhe.

Abdixhiku, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, teksa ka treguar për ndërtimin e një çerdhe në Lipjan ka thënë se pushteti aktual është duke bërë vazhdimisht sulme propaganduese parapartiak.

“Në vend ushqimit popullist përplot frustrim e urrejtje, në vend të sulmeve propaganduese parapartiake, ne kemi zgjedhur që kohën tonë t’ia dedikojmë gjërave që kanë rëndësi! Kosova ka aq shumë potencial e ka aq pak kohë! Të kalosh një mandat të plotë duke ndarë e përçarë kur ke aq shumë punë e aq shumë nevojë, është marrëzi”, ka shkruar Abdixhiku në rrjetin social ‘Facebook’.

Sipas tij, në “Rrugën e Re” do të ndërtohen plot 80 çerdhe të tilla nëpër Kosovë.

Më 23 korrik, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), pas artikullit të mediumit boshnjak “Slobodna Bosna” i cili pastaj është publikuar edhe në Radio Televizionin e Kosovës (RTK) ku dy media online akuzohen se janë nën “kontroll” të Serbisë dhe presidentit të saj Aleksandër Vuçiç, ka vlerësuar se RTK-ja është dorëzuar tërësisht.

“Mediumi i presupozuar si publik, është shndërruar në vegël të interesit ordiner të pushtetit. RTK jashtë çdo morali e etike godet mediat e Kosovës, iu bën gjyqin publik dhe i dënon me epitetin e tradhtarit e shërbëtorit të interesave të huaja”.

LDK-ja përmes një komunikate për media ka thënë se do të përdorin metodat që kanë për të dëshmuar kapjen e televizionit publik nga pushteti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore