Lajme

Abdixhiku: Kurti të shpjegojë pse po merr kritika nga SHBA-ja kurse Vuçiç-i lëvdata


Lumir Abdixhiku

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në një paraqitje televizive në T7, komentoi lëvdatat që Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ia bëri të mërkurën presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, për angazhimin konstruktiv në dialog dhe për qasjen e hapur ndaj propozimit franko-gjerman.

Ai tha se kryeministri Albin Kurti, duhet t’ua shpjegojë qytetarëve të Kosovës pse ai po merr vazhdimisht kritika nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për qasjen e tij refuzuese ndaj obligimeve të veta ndërkombëtare, kurse Vuçiç-i lëvdata.

“Serbinë e Vuçiç-it arriti ta bëjë më të mirë sesa vetën. Vuçiç mburrej para Serbisë se rreshtohej me Putin-in. Si erdhëm deri këtu që Serbia merr mbështetje nga aleati më i madh i Kosovës. Ne marrim kritikë, ata marrin lëvdata”, tha Abdixhiku.

Ai theksoi se LDK-ja e mirëpret ndryshimin e qëndrimit të Kurtit ndaj Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por shtoi se Kosova duhet të ketë liderë të përgjegjshëm dhe udhëheqës të guximshëm, të cilët duhet të koordinohen gjithmonë me SHBA-të.

Kurti ka kërkuar që të shuhen strukturat ilegale në veri dhe të bëhet dorëzimi i armëve, si njëra nga kushtet për të filluar themelimin e Asociacionit, prandaj Abdixhiku problemin më të madh e ka me këtë argumet.

“Një pjesë e kushteve ishin të pakuptueshme, shembull kushti për çarmatosjen e njerëzve në veri, kjo nuk do të duhej të ishte temë e dialogut, por çështje e rendit dhe ligjit. Kjo ka të bëjë me rendin dhe ligjin”, tha Abdixhiku teksa shtoi se kryeministri Kurti nuk e sheh veten si kryeministër i asaj pjese të Kosovës.

Ai potencoi se çështja më s’është se a duhet të ketë Asociacion, por kur dhe si duhet të bëhet sepse kushtet e vendosua nga kreu i ekzekutivit “janë një tranzicion për votuesit e vetë, s’janë madje as kushte”.

Abdixhiku shtoi se Kurti tani është kthyer te pozicioni i LDK-së, e cila ka kërkuar që Asociacioni të themelohet në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, teksa është kundërpërgjigjur edhe ndaj deklaratave të Kurtit,i cili pretendoi se ai nuk është as sa çereku i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.

“Në mahallë kemi pasë disa fëmijë që kanë qenë pronarë të topin, e sa herë humbnin, e merrnin topin dhe iknin në shtëpi. Por atëherë kur ishim bënte lëvdata, për punën tonë, të githë ministrave të LDK-së”, tha ai duke iu referuar kohës sa qeverisnin bashkë me Kurtin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore