Kosova

Abazoviç: Plani franko-gjerman bazë e shkëlqyer për një zgjidhje të qëndrueshme, por s’shoh që rajoni është afër kësaj zgjidhje


Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviç.

Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, në një intervistë për Rrjetin e Raportimeve Investigative në Ballkan (BIRN), ka kërkuar zgjidhjen e problemit në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe për këtë ai dha mbështetjen e parezervë të tij ndaj propozimit franko-gjerman, i pranuar nga Prishtina dhe Beogradi në takimin e 27 shkurtit në Bruksel, dhe i përforcuar me aneks të zbatimit në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars.

Sipas tij, ky plan është “një bazë e shkëlqyer për një zgjidhje të qëndrueshme”, por  shtoi se “nuk shoh që rajoni është afër kësaj zgjidhjeje për momentin”.

“Me ndihmën ndërkombëtare, Serbia dhe Kosova duhet të gjejnë një zgjidhje, përndryshe ne do të flasim ende për këtë problem për 20 vitet e ardhshme”.

Jashtë kësaj, ai iu përgjigj edhe kritikëve të cilët e akuzuan atë se ishte shumë i afërt me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pasi që ai shprehi mbështetje për nismën rajonale “Ballkani i Hapur”.

“As Rama dhe Vuçiç nuk patën ndonjë ndikim në politikën time, përveç rasteve kur kishim projekte të përbashkëta”, theksoi ai.

“Këto kritika vinë nga zhgënjimi sepse e paraqes veten si një person që bart idenë e pajtimit në rajon. Ajo shqetëson njerëzit që kanë jetuar në të kaluarën dhe konflikte për 30 vjet”.

Po ashtu, ai pati edhe porosi për ekzekutivin e ri malazez, ku i kërkoi që qeverisë së ardhshme të punojë në përmirësimin e bashkëpunimit rajonal, duke promovuar rekordin e qeverisë së tij në marrëdhëniet me vendet fqinje, “veçanërisht me Serbinë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore