Kosova

A ka mundësi që Marrëveshja e Brukselit të përfundojë në Arbitrazh, ashtu siç supozoi Glauk Konjufca?


Ilustrim: Glauk Konjufca

Deklarata e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcës, se nëse Kosova dhe Serbia nuk arrijnë të dakordohen për mënyrën se si duhet zbatuar Marrëveshja Bazë atëherë mund të shkohet edhe në arbitrazh për interpretim të agrementit, për studiuesit e marrëdhënieve ndërkombëtare, përveç se është e pa vend është edhe jo-realiste si mundësi.

Kosova dhe Serbia, shpjegoi kryetari i Parlamentit të Kosovës në emisionin DPT te Fidani në Televizionin “A”, kanë qasje diametralisht të kundërta për sa i përket rrugës që duhet ndjekur për implementimin e marrëveshjes. Kosova, sipas Konjufcës, fillimisht kërkon zbatimin e katër neneve të para të Ujdisë të cilat ofrojnë njohjen de facto të Serbisë e më pastaj vazhdon me zbatimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Ndërsa shtegu të cilën e dëshiron Serbia, sipas Konjufcës është kjo – njëherë Asociacioni, e më pas artikujt e tjerë të akordit.

E dërgimi i marrëveshjes në arbitrazh si mënyra e vetme për të zgjidhur ngërçin e mos-pajtueshmërisë së palëve në zbatimin e saj, për ligjëruesin e Shkencave Politike, Dritëro Arifi, nuk është e mundur pasi që sipas tij në krye të herës një gjë të tillë nuk e lejon vetë ndërmjetësuesi i procesit të dialogut dhe kumbari i marrëveshjes – Bashkimi Evropian.

“Lejimi i dërgimit të marrëveshjes në arbitrazh do të ishte zhvlerësim total edhe humbje e madhe e kredibilitetit të BE-së”, thekson Arifi për Albanian Post.

Arifi i cili në mënyrë kategorike përjashton një mundësi të tillë thekson se në këtë fazë Unioni Evropian do t’i jep afate Kosovës dhe Serbisë që ta implementojnë dakordancën në kohë reale.

“BE-ja kësaj radhe nuk do të lë hapësirë palëve që të manovrojnë me zbatimin e Marrëveshjes, jam i bindur që BE-ja nëse dëshiron të tregohet si faktor stabiliteti atëherë duhet të imponojë zbatimin, nëse jo atëherë BE-ja e hup komplet kredibilitetin”, shton ai.

Në anën tjetër për Mazllum Baraliun, profesorin çështjeve juridike kushtetuese, plani i kryekuvendarit për të dërguar Marrëveshjen e Brukseli/Ohrit për interpretim në arbitrazh dëshmon se Konjufca “nuk po jeton në botën reale”.

Sipas tij nuk është e mundur që marrëveshja politike në fjalë të shkoj në arbitrazh, meqë e njëjta nuk është as marrëveshje, por është plan i cili nuk i ka të gjitha tiparet dhe karakteristikat e një marrëveshjeje të mirëfillta ndërkombëtare, pa marrë parasysh dispozitat, dhe e dyta nuk është e nënshkruar, ani pse marrëveshjet pa nënshkrim kur pranohen në heshtje “tacit agreement” mund të merren si valide.

“Ne jemi një shtet ende në konsolidim e sipër prandaj të pranojmë të tilla solucione në arbitrazh, kur arbitrazhi do të duhej të kishte palë të barabarta, ne nuk jemi palë të barabarta. Arbitrazhi ndërkombëtar trajton shtetet anëtare të njohura ndërkombëtarisht dhe anëtare të Kombeve të Bashkuara, ne nuk jemi”, pohon ai për AP.

Dritëro Arifi dhe Mazllum Baraliu

Mbi këtë premisë, sipas Baraliut, një deklaratë e tillë është e parakohshme dhe e pa vend.

“Këto kalkulime e ushtrime që po i bëjnë politikanët e vendit, faktikisht po e dëmtojnë Kosovën pasi po paraprijnë gjërave gabimisht”.

Për Baraliun, arbitrazhi është çështje e palëve private ku faktori material dhe ai i lobimeve politike do të kenë ndikimin e tyre, ndikim ky i cili, sipas tij, është rrezik shumë i madh.

“Si një shtet i pavarur t’i po shkon e po hynë në një aranzhman e cila në fakt nuk ta njeh as statusin, meqë ne nuk jemi të njohur ende nga shumë shtete. Fatin tënd e vë në tryezë të një arbitrazhi ku mund të jetë gjithkush aty brenda, e mund të jetë e njëanshme e ta kthejë Kosovën në pikën zero, para 24 vitesh”, shpjegon ai.

Marrëveshja Bazë e dakordësuar më 27 shkurt në Bruksel e i përforcuar më 18 mars në Ohër me Aneksin për zbatimin përbëhet prej 11 nenesh.

Marrëveshja nuk përfshin njohjen reciproke për të cilën insistoi Kosova, por kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Dokumenti kërkon nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Intervista eksplozive e Glauk Konjufcës – Asociacioni bëhet për 1 minutë, por vetëm pasi të kemi njohje de facto, aktualisht kush e bën është tradhtar

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore